2024, Zyrë për Rikuperimin e Pasurive në Policinë e Shtetit – Zgjerohet BKH sipas kërkesave të partnerëve, 3 njësi të reja për krimin e korrupsionin
SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit do t’i nënshtrohen një zgjerimi të fortë duke nisur nga 2024, si për sa i përket burimeve njerëzore, ashtu dhe kapaciteteve hetuese, vecanërisht lidhur me rastet e korrupsionit nga ana e zyrtarëve të lartë. Këshilli i Ministrave sapo ka miratuar Udhërrëfyesin e Shtetit të së Drejtës në kuadër të procesit të anëtarësimit, ku përcaktohen një seri zhvillimesh sa i përket hetimit e dënimit të veprave të korrupsionit, me prioritet konfiskimin e aseteve. Por në fakt, risia më e dukshme e Udhërrëfyesit është krijimi i një strukture të posaccme për rikuperimin e pasurive brenda policisë së shtetit.
“Rritje e bashkëpunimit, përfshirë bashkëpunimin ndërkombëtar, në çështjet e sekuestrimit dhe konfiskimit përfundimtar të produkteve të veprës penale të korrupsionit nëpërmjet krijimit të Zyrës së Rikuperimit të Pasurive si njësi speciale e Policisë së Shtetit deri në vitin 2024”, përcakton dokumenti ku parashikohet edhe plotësimi i kuadrit ligjor të nevojshëm për ta bërë këtë.
Ndërsa SPAK pritet të plotësohet që në 2024 me burimet e nevojshme njerëzore për të funksionuar me kapacitet të plotë, duket se do të jetë Byroja Kombëtare e Hetimit ajo që do pësojë zgjerim të pandërprerë vitet e ardhëshme. Udhërrëfyesi parashikon rritje të kapaciteti të BKH-së nëpërmjet rekrutimit të oficerëve të Policisë Gjyqësore në vitin 2025, në përputhje me udhëzimet e Bordit Ndërkombëtar të BKH-së dhe sigurimin e qartësimit të roleve të tyre funksionale dhe kritereve përzgjedhëse, në përputhje me ligjin për SPAK-un.
Por ç’është më e rëndësishmja, Dokumenti parashikon përforcimin e Byrosë përmes ngritjes së tre njësive të reja. më specifikisht, bëhet fjalë për ngritjen në BKH-së të një njësie të re përgjimi parandalues, njësie vlerësimi risku dhe njësie bashkëpunimi ndërkombëtar deri në vitin 2025.
Në dokuemnt parashikohet gjithashtu rritje e nivelit të ekspertizës së personelit të Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara në gjurmimin, ngrirjen dhe konfiskimin efikas të pasurive në të gjithë policinë, prokurorinë dhe gjyqësorin deri në vitin 2026 e më tej.
Lorenc Rabeta/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.