Çmimet e energjisë për bizneset e liberalizuar – ERE pa informacion për marrëveshjen e re KESH – FSHU, ndikon drejtpërdrejt tarifat
Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar çmimet, me të cilat do të faturohen në muajin korrik bizneset që kanë dalë në treg të lirë energjie, por që gjithsesi furnizohen nga OSHEE, që luan rolin e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit.
Sipas vendimit, bizneset e lidhur në tensionin 20, 10 dhe 6 KV do e paguajnë me 18.26 lekë/kwh, ndërkohë që klientët e lidhur në tensionin 35 KV, do të faturohen me 31.2 lekë/ kwh, duke pësuar një rënie me 0.55 lekë/kwh në raport me muajin qershor, ndikuar nga kursi i këmbimit euro-lek.
Për klientët e lidhur në tensionin 35 KV energjia sigurohet nga importi, çka bën që kjo kategori klientësh të faturohet shumë shtrenjtë.
Ndërkohë që, për kategorinë e bizneseve, që dolën në tregun e liberalizuar në muajin janar të këtij viti, Furnizuesi i Shërbimit Universal e siguron energjinë nga KESH, me një çmim fiks prej 12 lekë/këh. Gjithsesi, marrëveshja përfundonte në muajin qershor, ndërsa ERE zyrtarisht nuk ka informacion mbi nënshkrimin e një marrëveshjeje të re
Publikisht, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka deklaruar se do të ketë një zgjatje të marrëveshjes deri në fund të vitit. Ndërkohë që, ku çmim ndikon drejtpërdrejt në tarifën finale me të cilën faturohet kjo kategori klientësh.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.