Tregu i monedhave, i qëndrueshëm – Investitorët presin inflacionin në SHBA dhe takimet e bankave qendrore
Dollari po qëndron në rënie të lehtë edhe në sesionin e sotëm, ndërsa investitorët po presin të dhënat mbi inflacionin në SHBA, që publikohet më vonë gjatë ditës së sotme, dhe takimet e bankave qëndrore më të mëdha të botës. Të dhënat mbi ecurinë e çmimeve në Shtetet e Bashkuara do të japin një panoramë më të qartë mbi politikat monetare që do të marrë banka qendrore më e madhe në botë. Gjithashtu, më vonë gjatë javës do të marrin vendimet e tyre edhe Banka Qendrore Europiane dhe Banka e Anglisë.
Që të treja bankat pritet të rrisin normën bazë të interesit me 50 pikë bazë. Ekonomistët e anketuar nga Reuters parashikojnë se inflacioni bazë në SHBA do të jetë rritur me 0.3% me bazë mujore dhe me 7.3%, krahasuar me një vit më parë. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare, po qëndron në rreth 105 dhe ka humbur ndjeshëm terren nga niveli më i lartë në 20 vitet e fundit, prej 114.8, që regjistroi në fund të shtatorit.
Për shkak të ngadalësimit të çmimeve, analistët parashikojnë se norma referencë e interesit në SHBA do të qëndrojë poshtë 5%. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin është ngjitur sërish mbi 17 mijë dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1265 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.