Britania e paqëndrueshme nga ana fiskale – Kompanitë e naftës: Taksat e jashtëzakonshme, një padrejtësi!
Mbretëria e Bashkuar është e paqëndrueshme nga pikëpamja fiskale dhe kjo e ka bërë qeverinë të kënaqet duke goditur kompanitë kryesore të naftës me taksa të jashtëzakonshme edhe pse për një kohë të shkurtër. Deklarata është bërë nga Amjad Bseisu, Administrator i Përgjithshëm i kompanisë EnQuest.
Sipas tij, kompania e eksplorimit dhe prodhimit të naftës në Detin e Veriut tani e sheh Azinë si zonën e saj më të madhe të rritjes, në vend të Mbretërisë së Bashkuar apo Europës.
Në nëntor, qeveria britanike ngriti në mënyrë të papritur një taksë ekzistuese mbi fitimet e kompanive të naftës nga 25% në 35% deri në vitin 2028. Kjo çon normën e përgjithshme të taksës për prodhuesit e Detit të Veriut në 75%, pasi të aplikohet taksa e korporatës prej 40%.
Taksa e papritur synon ridrejtimin e fitimeve të parakohshme si pasojë e rritjes së çmimeve të naftës dhe gazit në programe për të subvencionuar faturat e energjisë për familjet në një kohë që vendi përballet me një krizë historike të kostos së jetesës.
Bseisu u shpreh se kjo taksë është padyshim afatshkurtër, veçanërisht duke pasur parasysh që industria e energjisë ka nevojë të investojë në burime të rinovueshme dhe ka nevojë për fluksin e parave. Ai shtoi se Europa dhe Britania e Madhe kanë nevojë për investime në burimet e rinovueshme dhe se “rritja e taksave është gjëja e fundit që duan të bëjnë” për të arritur këtë qëllim. Sipas tij stabiliteti i regjimeve fiskale është i rëndësishëm, por edhe siguria energjetike dhe furnizimi me energji të brendshme është jashtëzakonisht i rëndësishme.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak fillimisht prezantoi taksën në muajin maj, kur ai ishte ministër i financave në qeverinë e Boris Johnson. Në nëntor, ministri i ri i Financave, Jeremy Hunt, zgjeroi taksën mbi fitimet e energjisë, ndërkohë që njoftoi një mori rritjesh të tjera taksash dhe shkurtime shpenzimesh, ndërsa qeveria u përpoq të mbyllte një vrimë të konsiderueshme në financat publike të vendit.
Bseisu këmbëngul se Mbretëria e Bashkuar është veçanërisht e paqëndrueshme nga ana fiskale, dhe kjo gjë ndikon në pikëpamjet afatgjata për investimet. Ai tha se ka shumë presion publik për të taksuar kompanitë e naftës me fitime të larta, edhe pse fitimet nuk po bëhen në Mbretërinë e Bashkuar. Ai sugjeroi se paqëndrueshmëria politike në vend nënkupton se qeveria e re dëshiron një rregullim të situatës, por e cilësoi rritjen e taksës së papritur një padrejtësi që po ndikon shumë keq në industri.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.