Dollari, humbje për të katërtin muaj me radhë – Rezerva Federale pritet t’i japë fund ciklit të rritjes së interesave
Tregu i monedhave po shfaqet i qëndrueshëm edhe në sesionin e sotëm, por dollari amerikan pritet të publikojë humbje për të katërtin muaj me radhë, gjatë janarit. Investitorët po presin takimet e bankave qëndrore më të mëdha të botës, të cilat do të rrisin normën bazë të interesit. Rezerva Federale në SHBA do të jetë e para që do të marrë vendimet mbi politikat monetare dhe analistët parashikojnë se norma bazë e interesit do të rritet me 25 pikë bazë.
Të enjten do të jetë vendimmarrja e Bankës Qendrore Europiane, e cila pritet të rrisë normën bazë të interesit me 50 pikë bazë. Euro po tregtohet në rreth 1.085 dollarë, ndërsa gjatë këtij muaji ka fituar rreth 1.3% të vlerës. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare po qëndron në rreth 102, shumë pranë nivelit më të ulët në 8 muajt e fundit prej 102.5.
Gjithashtu, investitorët po presin edhe të dhënat mbi punësimin në SHBA, që do të publikohen më vonë gjatë kësaj jave. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin po tregtohet pranë 23 mijë dollarëve, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1580 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.