Rusia mbyll përfundimisht rubinetat – A rrezikon Europa të mbetet pa gaz?
Rusia ka vendosur të mbyllë përfundimisht rubinetat që furnizojnë me gaz. Kjo mund të ndodhë deri në fund të vitit të ardhshëm, kur dhe skadon kontrata për furnizimin e Ukrainës me anë të Gazprom, sipas agjencisë së lajmeve Reuters që i referohet raportit të Financial Times.
Shanset që Kievi dhe Moska të bien dakord për rinovimin e marrëveshjes pesëvjeçare të tranzitit, e cila u nënshkrua për herë të parë në vitin 2019, janë të vogla, edhe pse rruga përmes Ukrainës përbën pothuajse 5 për qind të totalit të importeve europiane të gazit, raporton Financial Times.
Ministri ukrainas i Energjisë, Germano Galushchenko tha për Financial Times se ai nuk e sheh mundësinë që Kievi të rinegociojë marrëveshjen me Moskën pas pushtimit të vitit të kaluar.
Çmimet e gazit në Europë u rritën vitin e kaluar për shkak të kërcënimit të Gazprom për të ndërprerë rrjedhën drejt Moldavisë, pasi rruga e furnizimit, e cila kalon përmes Ukrainës, është korridori i fundit funksional i gazit rus në Europë.
Bashkimi Evropian investoi shumë në importet e gazit natyror të lëngshëm vitin e kaluar dhe miratoi rregullore për të rritur sasinë e magazinuar për të adresuar mungesat pasi furnizimet me gaz rus në Europë u pakësuan si pasojë e sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Dorina kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.