BE paralajmëron Musk për platformën X: “Përhap informacione të rreme dhe të paligjshme”!
Bashkimi Europian i ka dërguar një letër pronarit të X, Elon Musk, duke e paralajmëruar që të ndalojë përhapjen e informacioneve të rreme dhe të paligjshme nëpërmjet platformës së tij.
Letra është firmosur nga komisioneri për tregun e përbashkët Thierry Breton, i cili i kërkoi Musk që të kontaktojë brenda 24 orëve me autoritetet përkatëse për të dhënë llogari ndaj akuzave që i bëhen.
Në letër Breton i shkruan Musk se “pas sulmeve terroriste të Hamas kundër Izraelit” në Bruksel është diskutuar për përdorimin e plaftormës së tij për përhapjen e përmbajtjeve të paligjshme dhe informacioneve të rreme në territorin e Bashkimit Europian”.
Breton paralajmëron se mund të ndërmerren sanksione ndaj X. Komisioneri europian i ka lënë pak orë kohë Musk për të reaguar. Komisioni Europian kritikon në mënyrë të veçantë faktin se X nuk reagoi në mënyrë të menjëhershme pas sinjalizimeve për përmbajtjet e paligjshme, siç parashikohet dhe nga Akti për Shërbimin Digjital për menaxherët e platformave sociale.
Kërkesa e Breton lidhet me pamjet shumë të dhunshme të veprimeve të Hamas të përhapura nëpërmjet rrjetit social me objektivin për të shtuar pasigurinë e izraelitëve, sipas letrës.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.