Nafta i rikthehet fitimeve, rritet me mbi 1% – Fitimet kufizohen nga ngadalësimi i kërkesës në vitin 2024
Nafta është rritur me mbi 1% në sesionin e sotëm, për shkak të pritshmërive se normat e interesit në SHBA kanë arritur kulmin. Por parashikimi për një rritje më të ngadaltë të kërkesës për vitin e ardhshëm, nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, po kufizon fitimet.
Edhe rritja e rezervave të naftës në SHBA ka ndalur fitimet. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 86.8 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 84 dollarë për fuçi.
Ndër zhvillimet e tjera, ministri saudit i naftës, Prince Abdulaziz bin Salman deklaroi për televizionin shtetëror rus se është e nevojshme që OPEC+ të jetë “proaktive” për të sjellë stabilitet në tregun e naftës, që është goditur kohët e fundit nga shqetësimet se lufta Izrael-Hamas mund të ndërpresë furnizimet nga Lindja e Mesme. Edhe zëvendëskryeministri rus, Alexander Novak, qetësoi tregjet, duke thënë se çmimi aktual i naftës u ndikua nga konflikti në Lindjen e Mesme.
Sipas tij, rreziku nga ky konflik nuk ishte i madh për tregun e naftës. Ndërkohë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë uli parashikimin për rritjen e kërkesës për naftë për vitin 2024, duke sugjeruar se kushtet më të ashpra ekonomike globale dhe progresi në eficencën e energjisë do të rëndojnë mbi konsumin.
Agjencia parashikon se, kërkesa për naftë do të rritet me 880,000 fuçi në ditë, gjatë 2024-ës, nga 1 milionë fuç që vlerësohej më parë. Në Shtetet e Bashkuara, rezervat e naftës u rritën me 12.9 milionë fuçi, gjatë javës së kaluar, referuar të dhënave të Institutit Amerikan të Naftës. Analistët parashikonin një rritje me vetëm 500 mijë fuçi.
Lidion Kulla/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.