Sanksione ndaj subjekteve që cënojnë sigurinë – Ndryshon ligji pas rekomandimit të Moneyval. Bllokim i aseteve brenda 48 orëve
Me rekomandim të Moneyval, Shqipëria po forcon ndjeshëm masat shtrënguese ndaj fondeve apo aseteve të subjekteve që cënojnë paqen e sigurinë në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, apo marrëveshjeve ndërkombëtare ku vendi ynë është palë.
Është depozituar tashmë në Kuvend drafti me ndryshimet në Ligjin “Për Masat Shtrënguese Ndërkombëtare”, i cili zgjeron listën e institucioneve dhe agjencive ligjzbatuese shqiptare në njoftimin, raportimin, por cc’është më e rëndësishme, në aplikimin e këtyre masave.
Bllokimet e aseteve do të mund të ndërmerren brenda 48 orëve si për pasuritë e paluajtëshme, deri te llogaritë financiare, ndërkohë që do raportohen edhe transaksionet e mbetura në tentativë. Ndërkaq ndryshimet zgjerojnë ndjeshëm edhe gamën e subjekteve apo entiteteve mbi të cilët do të zbatohen këto masa shtrënguese.
Pika e Kontaktit të Bashkimit Evropian sa i përket masave shtrënguese do të jetë Ministria jonë e Jashtme, e cila menjëherë ua shpërndan njoftimin anëtarëve të Komitetit të Masave Shtrënguese. Mdërkohë që ndryshimi më i rëndësishëm vjen kur vjen fjala te zbatimi i këtyre masave. “Subjekte të tjera zbatuese”, sipas projektligjit do të konsiderohet çdo person juridik publik ose privat, person fizik tregtar dhe individ, sipas përcaktimeve të legjislacionit civil e tregtar në Republikën e Shqipërisë.
Me ndryshimet ligjore të propozuara, sigurohet bllokimi i përkohshëm, pa vonesë, pra, brenda 48 orëve si dhe standardizohen subjektet që kryejnë bllokimin e përkohshëm të aseteve, të cilat me ndryshimet e propozuara do të jenë “Organet përgjegjëse dhe subjektet e tjera zbatuese në Republikën e Shqipërisë”.
Lorenc Rabeta/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.