Festat e Nëntorit/ Policia e Shtetit: Gatishmëri e përforcuar deri në 30 nëntor!
Policia e Shtetit njofton se ka kaluar në gatishmëri të përforcuar, nga mbrëmja e datës 25 nëntor deri në 30 nëntor duke ndërmarrë kështu masa të posaçme, në bashkëpunim me autoritetet vendore, për garantimin e mbarëvajtjes së aktiviteteve që do të zhvillohen me rastin e Festave të Nëntorit.
Sipas njoftimit nisur nga situata e krijuar mbrëmjen e datës 25 nëntor, për shkak të motit të keq, Policia e Shtetit kaloi në gatishmëri të përforcuar, duke rritur prezencën e shërbimeve të Policia Rrugore dhe të Rendit, në akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe për t’iu shkuar në ndihmë përdoruesve të rrugës, në rast nevoje.
Në njoftimit e postuar nga Ministria e Brendshme në këtë kuadër, shërbimet e Policisë së Shtetit, përgjatë mbrëmjes së datës 25 nëntor, në shumë akse rrugore të vendit, iu kanë shkuar në ndihmë dhjetëra qytetarëve, të cilët u bllokuan si pasojë e reshjeve të mëdhaja të dëborës, duke i evakuuar me automjete të kalueshmërisë së lartë dhe duke i dërguar në destinacionet e tyre.
“Gatishmëria dhe shërbimi i përforcuar do të vijojnë deri më datë 30 nëntor, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë në të gjitha sheshet dhe ambientet ku do të zhvillohen festime,” thuhet në njoftim.
Shërbimet e Policisë Rrugore dhe të Rendit po bashkëpunojnë me Policitë Bashkiake, për monitorimin e rrugëve dhe shesheve që do të bllokohen për festime. Ndërkohë, Policia Kriminale ka rritur vigjilencën dhe po bashkëpunon me agjencitë e tjera ligjzbatuese.
Policia bën me dije se janë marrë masa për parandalimin e ndotjes akustike që shkaktohet nga përdorimi i pakontrolluar dhe në cenim të parashikimeve të ligjit, i fishekzjarrëve dhe lëndëve të tjera piroteknike, për qëllime festive dhe gjithashtu se në të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe në kufirin e gjelbër, janë shtuar masat për të parandaluar dhe për të goditur tentativat për krime kufitare.
E . S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.