Zelanda e Re i rikthehet duhanpirjes – Qeveria deklaron se duhani rrit të ardhurat në buxhet!
Një nga iniciativat më me ndikim në nivel kombëtar dhe global po revokohet nga qeveria e re e koalicionit të Zelandës së Re, me argumentin se kjo do të rrisë të ardhurat e qeverisë dhe do të lërë hapësirë për më shumë lehtësime tatimore. Arsyeja e ligjit të shumëpërfolur kundër duhanit, ishte për rritjen e gjeneratës së parë që nuk do të kishte pirë kurrë duhan, duke reduktuar vdekjet lehtësisht të parandalueshme dhe duke kufizuar kostot e kujdesit shëndetësor.
Kryeministri i ri i vendit, Christopher Luxon, befasoi komunitetin vendas dhe global duke njoftuar heqjen e ligjit kundër duhanit, i cili gradualisht rrit moshën ligjore për blerjen e produkteve të duhanit, duke e ndaluar përfundimisht atë tërësisht për ata që kanë lindur në 2009 e më vonë. Në kuadër të rregulloreve, të cilat nisën të miratoheshin vitin e kaluar dhe do të zbatoheshin plotësisht në vitin 2024, ka reduktim të kufirit maksimal të nikotinës në produktet përkatëse, shitjen e tyre vetëm në një numër të kufizuar dyqanesh, si dhe masa për më pak shitje pranë shkollave.
Hulumtimet e fundit vlerësuan se me miratimin e plotë të rregulloreve, Zelanda e Re do të kursente 1.3 miliardë dollarë në kostot shëndetësore gjatë njëzet viteve, ndërsa vdekjet e femrave do të reduktoheshin me 22% dhe të meshkujve me 9%.
Qeveria e re u mbështet në hapjen e tregut të pronave ndaj blerësve të huaj në mënyrë që të financonte lehtësimet tatimore për klasat e mesme dhe të ulëta. Pas refuzimit të këtij propozimi nga partitë e pakicës në koalicionin qeverisës, deputetët iu drejtuan ligjit kundër duhanit.
Vetë kryeministri argumentoi se të ardhurat nga taksat nga shitjet e vazhdueshme të cigareve do të kontribuonin në të ardhurat e qeverisë, ndërsa theksoi se ndalimi mund të çojë në një lulëzim të shitjeve në tregun e zi. Vihet re se në qendër të fushatës elektorale, qeveria e re vendosi depërshkallëzimin e kostos së jetesës dhe kontrollin e inflacionit për të ulur normat e kreditimit dhe çmimet e ushqimeve. Gjithashtu, prioritet i është dhënë përmirësimit të shërbimeve publike dhe reduktimit të krimit.
Aktualisht një përqindje e vogël, rreth 8%, ende pi duhan në Zelandën e Re, pas rënies së madhe të numrit të duhanpirësve. Qëllimi ishte kufizimi i mëtejshëm në 5% deri në vitin 2025 dhe eliminimi i plotë i tij në vitet në vijim.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.