Ari, në nivelin më të lartë në 7 muaj – FED do të ulë interesat në gjysmën e parë të 2024
Ari po tregtohet i qëndrueshëm në sesionin e sotëm, pas fitimeve të realizuara një ditë më parë, për shkak të shpresave se Rezerva Federale do t’i ulë normat e interesit në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm. Në këtë mënyrë, metali i çmuar është ngjitur në nivelin më të lartë në 7 muajt e fundit dhe po tregtohet në rreth 2,045 dollarë për onz.
Një dollar më i dobët dhe pritshmëritë për norma interesi më të ulëta e kanë rritur arin gjatë 24 orëve të fundit. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare, është rritur lehtë në sesionin e sotëm, por po qëndron në nivelin më të ulët në 3 muajt e fundit.
Dollari pritet të realizojë humbjet më të mëdha mujore në një vit, gjatë nëntorit. Tashmë, tregtarët po vlerësojnë një shans prej më shumë se 70% për lehtësimin e normave të interesit në maj, pasi Guvernatori i Rezervës Federale, Christopher Waller, njoftoi një ulje të mundshme të interesave në 5 muajt në vijim.
Normat më të ulëta të interesit zvogëlojnë koston oportune të mbajtjes së arit, i cili nuk mbart interes. Investitorët po presin të dhënat e rishikuara mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto në SHBA për tremujorin e tretë të vitit, që do të publikohen më vonë gjatë ditës së sotme, dhe të dhënat mbi Shpenzimet e Konsumit Personal, që do të publikohen të enjten. Ndër metalet e tjera, argjendi po tregtohet pranë 25 dollarëve për onz, ndërsa platini po tregtohet në rreth 935 dollarë për onz.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.