AI në sistemin financiar, nevojë për rregulla – Banka Qëndrore Evropiane paralajmëroi rreziqet
Viteve të fundit inteligjenca artificiale është bërë pjesë e pothuajse çdo sektori, një prej tyre është edhe sistemi financiar. Pavarësisht se te kjo e fundit është ende në fillime, monitorimi është i domosdoshëm, në mënyrë që të parandalohet dëmtimi i konsumatorëve dhe të sigurohet funksionimi i duhur i tregjeve. Nënvizimi u bë nga Banka Qëndrore Evropiane.
BQE ka vënë re një sërë përfitimesh nga përdorimi i Inteligjencës Artificiale, në banka dhe institucione të tjera financiare, të tilla si përpunimi më i lartë i informacionit, shërbimi më efikas ndaj klientit dhe madje edhe një aftësi më e madhe për të dalluar kërcënimet kibernetike.
Njëkohësisht, BQE paralajmëroi edhe për rreziqet, duke mos përjashtuar sulmet kibernetike më të sofistikuara. Pikërisht për këtë arsye, kërkohet që zbatimi i Inteligjencës Artificiale në sistemin financiar, të monitorohet nga afër teksa teknologjia evoluon.
Bashkimi Evropian ka formuluar rregullat e para të inteligjencës artificiale në botë, të cilat do të detyrojnë sistemet e inteligjencës artificiale të jenë në përputhje me detyrimet specifike të transparencës dhe ligjet e BE-së për të drejtat e autorit.
Megjithatë, deri më tani, BQE tha se miratimi i sistemeve të tilla nga kompanitë financiare evropiane ishte “në fazat e para” dhe se ka ende shumë punë për të bërë.
Adelina Onuzi/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.