Shqetësimet për rritjen e borxhit global – Ish-shefi i BQE-së, Trichet, paralajmëron se sistemi financiar është i brishtë
Sistemi financiar botëror është sot më i brishtë se në kohën e falimentimit të Lehman Brothers, paralajmëron Jean-Claude Trichet, presidenti i parë i Bankës Qendrore Evropiane.
Sipas tij, në vitin 2008, në kohën e krizës së Lehman Brothers, borxhi bruto i qeverisë së përgjithshme të ekonomive të përparuara ishte rreth 75% e PBB-së. Në vitin 2023, shifra korresponduese ishte rreth 117%. Trichet nuk kërkon të dramatizojë situatën aktuale ekonomike dhe financiare globale, por sheh shumë arsye për të qenë të kujdesshëm në të gjitha nivelet, globale, kontinentale dhe kombëtare.
Rishpërndarja e burimeve pritet të kontribuojë ndjeshëm në financimin e shpenzimeve të reja të nevojshme publike. Nëse BE dhe SHBA rrisin shpenzimet publike përtej rritjes së kursimeve të tyre, ata po kërkojnë nga vendet më pak të pasura dhe më të varfra ta financojnë atë.
Trichet shprehet jashtëzakonisht i shqetësuar për tensionet gjeopolitike. “Evropa është veçanërisht e prekur nga lufta në Ukrainë në krahasim me SHBA-në. Është një arsye shtesë që të gjitha vendet evropiane të jenë vigjilente dhe të bëjnë gjithçka që munden për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e tyre dhe për të zgjeruar potencialin e rritjes ekonomike përmes reformave të duhura”, mendon ish-kreu i BQE.
Ai vlerëson politikat e ndërmarra nga dy bankat më të mëdha në botë, si Rezerva Federale në SHBA dhe Banka Qendrore Evropiane. “Si BQE, ashtu edhe Fed kanë reaguar mirë dhe jam veçanërisht i kënaqur që inflacioni në Evropë duket se është nën kontroll sot, duke lejuar disa ulje të normave të interesit në të ardhmen nëse provat vërtetojnë gjykimin tim actual”, tha Trichet. Por, në një vëzhgim shtesë, ai vëren se që nga kriza e Lehman Brothers, të gjitha bankat qendrore kryesore të ekonomive të përparuara kanë miratuar të njëjtin përkufizim të stabilitetit të çmimeve, pra rreth 2% në afat të mesëm. Kjo konvergjencë, sipas tij, ndihmon ndjeshëm veprimin e bankës qendrore në situatën aktuale të inflacionit.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.