Më shumë investime në energjinë e pastër – Administrata Biden propozon zgjerimin e kredive tatimore
Administrata Biden propozoi zgjerimin e kredive tatimore që për vite kanë nxitur projektet e SHBA-së për energjinë diellore dhe të erës për të mbuluar një gamë më të gjerë të teknologjive të energjisë së pastër, duke përfshirë ndarjen dhe shkrirjen bërthamore.
Departamenti i Thesarit njoftoi udhëzimet e tij për Kreditë e Prodhimit dhe Investimeve të Energjisë Elektrike të Pastër, të krijuara sipas Aktit të Reduktimit të Inflacionit të vitit 2022, që do të jenë të disponueshme në vitin 2025. Zgjerimi i kreditimit do të ndihmojë SHBA të përmbushë objektivin e saj për të arritur një sektor të energjisë me emetim neto zero deri në vitin 2035.
Propozimi identifikon një disa teknologji që mund të jenë të pranueshme për t’u kualifikuar për kreditë fitimprurëse tatimore, duke përfshirë energjinë detare dhe hidrokinetike, ndarjen dhe shkrirjen bërthamore, energjinë hidrike, gjeotermale dhe disa forma të rikuperimit të energjisë së mbeturinave. Kreditë ishin deri në 30% për projektet e erës dhe diellit nëse plotësoheshin të gjitha kushtet.
Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen, tha se tashmë janë efektive mbi 850 miliardë dollarë në energji të pastër dhe investime në prodhim nga sektori privat duke çuar në shtime rekord të kapaciteteve të energjisë së rinovueshme.
Sipas saj, këto kredi përbëjnë një angazhim afatgjatë të paprecedentë ndaj sektorit të energjisë së pastër për të siguruar që SHBA-ja të jetë një treg i madh për prodhimin e ri të energjisë së pastër gjatë dekadës së ardhshme dhe më tej. Një firmë kërkimore vlerësoi se kreditë mund të rezultojnë në një reduktim prej 300-400 milionë ton të emetimeve të dioksidit të karbonit.
Disa grupe mjedisore shprehën shqetësimet se kreditë tatimore për teknologjinë e emetimeve zero të gazeve serrë mund të përfundojnë duke mbështetur burime të diskutueshme të energjisë, të tilla si djegia e mbeturinave, ose biogazit të metanit të kapur nga landfillet.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.