Më vështirë të marrësh hua për banesa – Shtrëngohen kriteret edhe për kredinë konsumatore. Bankat perceptuan më shumë rrezik
Dorian Koça/ SCAN
Të marrësh kredi bankare për të blerë një banesë është bërë disi më e vështirë, ndërsa e njëjta ecuri duket se do të vijojë edhe më tej gjatë vitit. Në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë për aktivitetin kreditues në tremujorin e dytë të vitit theksohet se, standardet e hadhënies për individët u shtrënguan disi, të diktuara vetëm nga një bankë e vetme e sistemit. Shtrëngimi i standardeve u raportua si në kreditë konsumatore, ashtu edhe në ato për blerjen e banesave.
Sipas Bankës Qendrore, faktorët me ndikim në shtrëngimin e standardeve të kreditimit për individët u raportuan perceptimi i rrezikut mbi aftësinë paguese të kredimarrësit, mbi zhvillimet aktuale dhe të pritura në tregun e banesave, si edhe kostot e kufizimet nga pozicioni i likuiditetit të bankave. Nga ana tjetër, trysnia e shtuar nga konkurrenca në sistemin bankar vijon të ndikojë në kahun lehtësues të standardeve të kreditimit për individët.
Standardet e kreditimit për individët priten të mbeten të shtrënguara edhe në tremujorin e tretë të vitit 2024, si në kreditë për blerjen e banesave, ashtu edhe ato për financimin e konsumit.
Sa i përket kushteve dhe termave të përgjithshëm për kreditë akorduar individëve, ato mbetën të pandryshuara në tërësi në tremujorin e dytë. Kushtet e termat e kreditimit në blerjen e banesave u raportuan lehtësisht të shtrënguara, ndërsa ato në financimin e konsumit u raportuan të lehtësuara. Në kahun lehtësues u raportua shtimi i madhësisë së kredisë. Në të kundërt, marzhet më të larta të përcaktuara prej bankave dhe kërkesat më të larta për kolateral (në kreditë për blerjen e banesave) patën ndikim shtrëngues në kushtet e termat e kreditimit për individët.
Faktori që ndikoi në kahun lehtësues të kushteve e termave të kreditimit për individët ishte shtimi i konkurrencës në sistem bankar. Në kahun shtrëngues të kushteve e termave të kreditimit për individët u raportua perceptimi i rrezikut.
Shkalla e miratimit të kredive për individët u raportua në rritje në tremujorin e dytë të vitit 2024. Raporti më i ulët i kredive të refuzuara në këtë tremujor u nxit pothuajse nga të gjithë treguesit e lidhur me aftësinë paguese të kredimarrësit, me kornizën e politikave të bankave, si edhe me historikun e kreditit. I vetmi faktor që ndikoi në kahun e kundërt me to u raportua mungesa e dokumentacionit në momentin e aplikimit për kredi nga ana e individëve.
Kërkesa e individëve për kredi u perceptua më e lartë në tremujorin e dytë, kryesisht me qëllim blerjen e banesave. Kërkesa më e lartë për financimin e konsumit dhe ajo për financimin në blerjen e banesave ishin faktorët kryesorë që sollën rritjen e kërkesës për kredi në këtë tremujor. Në drejtim të kundërt me to ndikuan niveli i përgjithshëm i normave të interesit, përdorimi i burimeve alternative të financimit, besimi konsumator dhe zhvillimet aktuale e të pritura në tregun e banesave.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.