Kredi të buta për ndërmarrjet e vogla e të mesme – Programi Italo-Shqiptar do të nxisë rritjen e sipërmarrjeve dhe inovacionin
Diamila Leka/Scan
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka njoftuar se ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme do t’u mundësohen kredi të buta dhe me interes të ulët. Sipas programit Italo-Shqiptar, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të kenë mundësi të marrin kredi me interes të ulët në 3% në euro dhe 4% në lekë.
Kjo mundësi u vjen të gjithë sipërmarrësve që drejtojnë ndërmarrje të tilla me qëllim zgjerimin e investimit të tyre, por edhe për ato ndërmarrje të cilat mund të jenë ndikuar nga luhatjet e kursit të këmbimit.
Nga ana tjetër, përmes këtij programi duke u dhënë mundësia e kredive të buta dhe me interes të ulët, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të mbështeten në investimet për teknologji dhe inovacion. Gjithashtu mund të shihet si një mundësi e mirë për ato bizneset të cilët duan të investojnë në pajisje të reja.
Për të lehtësuar aksesin në kredimarrje, përmes këtij programi do të jetë dhe një fond garancie dhe asistencë teknike për të ndihmuar kompanitë të shfrytëzojnë sa më mirë linjën e kredisë. Ndërkohë është parashikuar që afati i ripagimit do të jetë 8 vjet.
Ky program menaxhohet nga Komiteti Drejtues i Linjës së Kredisë dhe është i krijuar në bazë të marrëveshjes dypalëshe të Bashkëpunimit për Zhvillim mes Italisë dhe Shqipërisë.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.