Dronët “Bayraktar”, në gatishmëri edhe për emergjencat – Ministri Pirro Vengu, inspektim në bazën ajrore të Kuçovës
Ledina Elezi/SCAN
Pas testit të kaluar me sukses për misione gjatë natës, dronët “Bayraktar” do të kalojnë së shpejti në funksion monitorues 24 orë në shtatë ditë të javës, si një element mbështetës i rëndësishëm krah autoriteteve vendore në betejën kundër zjarreve.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, shoqëruar edhe nga Komandanti i Forcës Ajrore Gjeneral brigade Ferdinant Dimo inspektuan bazën ajrore të Kuçovës dhe njësinë e dronëve, e cila tashmë është plotësuar me personel të kualifikuar.
Kjo njësi tashmë ka rritur gatishmërinë edhe pas trajnimit të pilotëve për misionet në kushtet e errësirës. Dronët UAV janë përdorur prej disa ditësh në operacionet e përbashkëta me forcat e tjera në luftën kundër zjarreve, për një evidentim më të saktë të vatrave. Rezultatet e imazheve të dronëve “Bayraktar” do të jenë kyçe për të mbështetur bashkitë edhe në procesin e evidentimit të dëmeve të krijuara nga zjarret.
Prej disa muajsh Forcat e Armatosura shqiptare kanë në zotërim 3 dronë Bayraktar, të blerë në Turqi në bazë të një marrëveshje mes dy vendeve. Këta dronë janë të njohur për efikasitetin dhe teknologjinë e tyre të avancuar.
Dronët “Bayraktar” iu shtuan flotës së Forcave të Armatosura të Shqipërisë, si pjesë e modernizimit të mjeteve të saj, për të rritur kapacitetet, jo vetëm në operacionet e stërvitjet ushtarake, por edhe në mbështetje të operacioneve të emergjencave civile apo në monitorimin e territorit, për të ndihmuar me imazhe sa më të sakta institucionet e vendit.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.