Dy shërbime për të punësuar të huajt me leje unike – Si do t’i verifikojnë subjektet nëse janë në veprimtari të jashtëligjshme?
Diamila Leka/ Scan
Për të gjithë bizneset të cilët kanë kërkesa për punonjës të huaj në vendin tonë, do të kenë dy shërbime të reja në e-Albania ku do të mund të aplikojnë në çdo kohë për kërkesat e tyre.
Bizneset mund të bëjnë kërkesat e tyre përmes “Vlerësimit paraprak për aplikim për Leje Unike” ku përmes këtij shërbimi, subjektet tregtare mund të planifikojnë të punësojnë shtetas të huaj me qëllim vlerësimin nga ana e Policisë Kufitare dhe Migracionit si dhe agjencive të tjera të sigurisë në Republikën e Shqipërisë.
Përmes këtij shërbimi subjekti krijon besueshmërinë për sa i përket precedentëve të mëparshëm të punësimit dhe largimit të shtetasve të huaj nga këto subjekte, shtetësitë e të huajve që do të punësohen, përmbushja e kushteve të punësimit dhe jetesës së punëmarrësve nga ana e subjektit, si dhe vlerësimi i përfshirjes ose jo në veprimtari të jashtëligjshme të shtetasve të huaj.
Ndërsa është dhe shërbimi i dytë elektronik “Aplikim nga punëdhënësi për leje unike për të huajt”, ku u mundëson subjekteve tregtare dhe personave fizikë në Republikën e Shqipërisë, të aplikojnë nga llogaria e tyre e biznesit në e- Albania për punëmarrës të huaj.
Ndërkohë “Aplikimi për leje unike për të huajt”, postohet edhe në sistemin e-visa ku gjenerohet kodi i vizës në bazë të Misionit Diplomatik dhe Postit Konsullor të Republikës së Shqipërisë, i cili verifikohet paraprakisht nga Konsulli në Ambasadë/Konsullatë, pas miratimit apo miratimit paraprak nga AKPA
Referuar të dhënave nga Inspektoriati Shtetëror i Punës, në muajt e parë të këtij viti janë inspektuar në total 9,820 subjekte private, në të cilat janë konstatuar 1,350 punëmarrës të huaj, ku 27 prej tyre rezultuan pa leje pune.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.