Shifrat/ Sa paguhen programuesit në Shqipëri? – 67.6% e industrisë dominohet nga meshkujt, mbi 36% bëjnë punë të dyta
Elisabeta Dosku/ SCAN
Programuesit njihen si më të mirëpaguarit në tregun e punës, por sa i vërtetë është ky perceptim dhe cilat janë pagat reale të këtij sektori?
Referuar një pyetësori të bërë nga një kompani e specializuar punësimi në vend, pagat nuk janë në nivele aq të mira, nëse i referohemi atyre me më pak eksperiencë pune, ndërsa situata ndryshon për profesionistët që kanë vite në treg.
Pyetësori nxjerr në pah se 9% prej të anketuarve kanë eksperiencë me më pak së një vit, ndërkohë 16.1% paguhen më pak ose baraz me 700 euro , dhe 20.8% kanë një pagë mujore në fashën 700-1200 euro.
Megjithatë pozitive është se pjesa me e madhe, rreth 24.6% paguhen me mbi 3000 euro. Vendi i dytë zihet nga pagesa që variojnë 1200-2000 euro për 22.5% të të punësuarve në këtë sektor.
Referuar pyetësorit, bie miti i pagesës së lartë për programuesit që në fillim të karrierës, pasi 1/3 prej tyre nuk paguhen më shumë se 1200 euro në muaj.
Të dhënat tregojnë se industria se këtë industri e dominojnë meshkujt me 67.6% dhe femrat zënë 31.5%, ndërsa pjesa tjetër ka zgjedhur mos ta specifikoje gjininë.
Sa i takon moshës, vihet re se shumica e të punësuarve janë mes moshës 20-30 vjeç ku 20-25 janë 41.3%, 25-30 janë 41.9% dhe pjesa tjetër që zë një përqindje të madhe është grupmosha 30-40 me 14.2% .
Nga të anketuarit, rezulton se 36.7% prej tyre bëjnë punë të dyta. Arsyet e punës së dytë për shumicën e të punësuarve është sepse puna e pare nuk i plotëson nevojat ekonomike, pra e thënë ndryshe dhe një programues që supozohet që merr mbi mesatare, detyrohet të dypunësohet sepse e para nuk përmbush nevojat ekonomike. Dhe kjo arsye qëndron për 39.4% prej atyre që bëjnë punë të dytë.
Më pas listohet kategoria që punon sepse gjithmonë kërkon më shumë nga vetja me 38.7% dhe pasohet nga “Jam mesuar me shumë pune” me 18% dhe 3.6 % “Nuk ka sesi mbush kohën”.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.