Kina rrit importin e gazit rus – Furnizimet me gaz u shtuan me 19% në krahasim me 2023
Kristi Ceta/SCAN
Vlera e importeve të gazit rus në Kinë u rrit me 19 për qind krahasuar me vitin e kaluar, në më shumë se 4.69 miliardë dollarë në periudhën janar-korrik 2024, njoftoi Administrata e Përgjithshme e Doganave të Kinës.
Federata Ruse aktualisht është e dyta për furnizimin me gaz në Kinë përmes tubacioneve, pas Turkmenistanit, i cili furnizoi gaz për 5,67 miliardë dollarë në periudhën e përmendur.
Në vendin e tretë ndër furnizuesit kryesorë të Kinës renditet Mianmari, dhe vlera e importit të gazit nga ky vend ishte 782 milionë dollarë. Vendin e katërt e zë Kazakistani me 730 milionë dollarë dhe i pesti është Uzbekistani me 304 milionë dollarë.
Në këtë raport nuk janë publikuar të dhënat për sasinë e gazit të importuar nga janari deri në korrik.
Rusia është eksportuesi kryesor i burimeve të energjisë në Kinë. Në vitin 2023, Kina bleu 107 milionë ton naftë (+24%) dhe 8 milionë ton gaz natyror të lëngshëm (+23%) nga Rusia. Dërgesat përmes tubacionit të gazit Power of Siberia u rritën 1.5 herë në një rekord prej 22.7 miliardë metra kub.
Sipas llogaritjeve të Doganës, vitin e kaluar Kina rriti importet e gazit me 9,9%, duke shkuar në 119,97 milionë ton.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.