Në 7 muaj gjobiten mbi 27 mijë mjete në Tiranë – Në parkimet me pagesë janë shitur rreth 736 mijë bileta
Diamila Leka/ SCAN
Për të gjithë qytetarët të cilët disponojnë një makinë, problemi për ta është se ku do të parkojnë. Pavarësisht se në kryeqytet janë shtuar hapësirat e parkimit, sërish mbetet një nga problemet kryesore. Në shtatë muaj, që nga janari i këtij viti deri në korrik janë vëendosur mbi 27 mijë gjoba mjetesh në kryeqytet.
Referuar të dhënave të Open Data Tirana, në muajin prill të këtij viti janë regjistruar më shumë gjoba për zënie të hapësirave publike duke arritur në 7303 në total në Tiranë.
Ndërsa Njësia Administrative nr 3 është njësia e cila e ka më të theksuar problematikën e zënies së hapësirave publike ku në 7 muaj në total janë gjobitur 5307 mjete.
Në po të njëjta të dhëna raportohet se Farka është njësia administrative e cila ka më pak gjoba duke shënuar vetëm 32 të tilla.
Por çfarë thonë shifrat përsa i përket parkimeve publike me pagesë në kryeqytet?
Sipas të dhënave të sipërpërmendura, në total janë listuar 15 parkime publike me pagësë. Ndërsa numri i biletave të shituara për 7 muaj në parkimet me pagesë ka arritur në shifrën e 735871 në total.
Të dhënat raportojnë se parkimi nëntokësor te Sheshi “Skënderbej”, për 7 muaj janë parkuar mbi 170 mijë mjete.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.