Marrëveshja e parë ndërkombëtare për “IA”- BE, SHBA dhe Britania pritet të nënshkruajnë traktatin
Kristi Ceta/ SCAN
Marrëveshja e parë ligjërisht e detyrueshme ndërkombëtare e inteligjencës artificiale është e hapur për nënshkrim nga vendet që e kanë negociuar, duke përfshirë anëtarët e Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë, tha organizata për të drejtat e njeriut në Këshillin e Evropës.
Konventa e IA, e cila ka qenë në punë prej vitesh dhe u miratua në maj pas diskutimeve midis 57 vendeve, trajton rreziqet që mund të paraqesë kjo teknologji, duke promovuar inovacionin e përgjegjshëm.
“Kjo Konventë është një hap i madh për të siguruar që këto teknologji të reja mund të shfrytëzohen pa gërryer vlerat tona më të vjetra, si të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit,” tha në një deklaratë ministrja britanike e drejtësisë.
Konventa fokusohet kryesisht në mbrojtjen e të drejtave të njeriut të njerëzve të prekur nga sistemet e inteligjencës artificiale dhe është e ndarë nga Akti i BE-së, i cili hyri në fuqi muajin e kaluar.
Akti i Bashkimit Evropian përfshin rregullore gjithëpërfshirëse për zhvillimin, vendosjen dhe përdorimin e sistemeve të IA brenda tregut të brendshëm të BE-së.
Këshilli i Evropës, i themeluar në vitin 1949, është një organizatë ndërkombëtare e ndryshme nga BE-ja me mandat për të mbrojtur të drejtat e njeriut; 47 vende janë anëtare, duke përfshirë të 27 vendet anëtare të BE-së.
Në vitin 2019 filloi të shqyrtohet mundësia për krijimin e një konvente të posaçme dhe në vitin 2022 u formua Komiteti për Inteligjencën Artificiale, i cili hartoi dhe negocioi tekstin. Nënshkruesit mund të zgjedhin të miratojnë ose të mbajnë masa legjislative apo administrative për t’u dhënë fuqi dispozitave.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.