Nisin ndryshimet në drejtimin e Policisë së Shtetit – Hapet gara për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm
Hamit Yzeiraj/ SCAN
Policia e Shtetit pritet të ketë drejtues të rinj. Njoftimin e bëri ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, në daljen e tij të parë për mediat, 30 ditë pasi mori këtë detyrë. Një ditë pas dorëheqjes së drejtorit të Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku, ministri ka nxjerrë Udhëzimin për fillimin e procedurave të përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe në zbatim të tij, në detyrën e përkohshme të drejtuesit të lartë të Policisë, do të komandohet Zv.drejtori i Përgjithshëm, Sokol Bizhga.
I ftoj të gjithë drejtuesit të Policisë, të cilët janë sipas rangjeve të parashikuara nga ligji të kandidojnë për Drejtor të Përgjithshëm. Nëse e kanë këtë ambicie të mos ngurrojnë. Procesi është i hapur dhe zgjedhja do të jetë e pandikuar nga asgjë tjetër, përveç vlerave individuale të çdo kandidature.
Sipas tij, ligji i ri i sapomiratuar i Policisë së Shtetit është një platformë e shkëlqyer për reformimin dhe modernizimin e mëtejshëm të trupës policore.
Sot, është dita për ta kaluar stafetën tek një tjetër gjeneratë drejtuesish, të cilët falë punës kolosale të bërë deri këtu, nuk do ta fillojnë rrugën e tyre nga gremina e vitit 2013, por nga një lartësi e arritur me mundin e me kohën e një dekade dhe nuk do të kenë asnjë justifikim për të mos e ngjitur Policinë e Shtetit në rangun e trupave më të mira të Bashkimit Europian.
Ministri Ervin Hoxha siguroi se, asgjë nuk do të ndikojë në procesin e përzgjedhjes së drejtuesve, veç meritës dhe integritetit.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.