Amerikanët jetojnë më gjatë me prindërit – 57% e të rinjve deri në 25 vjeç jetojnë në shtëpinë e prindërve
Prindërit i kanë mbështetur gjithmonë fëmijët e tyre në udhëtimin drejt moshës madhore, nga financimi i një dasme deri tek ndihma e tyre për të blerë një shtëpi. Megjithatë, ‘kordoni i kërthizës’ ekonomik duket se pritet shumë më ngadalë, siç zbulon një studim i ri për SHBA. Prindërit vazhdojnë të financojnë fëmijët e tyre edhe në moshën madhore dhe numri i të rinjve që jetojnë ende në shtëpitë e prindërve të tyre po rritet.
Më konkretisht, rreth 59% e prindërve thanë se i ndihmuan financiarisht fëmijët e tyre të rritur vitin e kaluar, sipas studimit, që u fokusua tek të rriturit nën 35 vjeç. Përveç kësaj, më shumë të rinj – nën 25 vjeç jetojnë me prindërit e tyre, 57% krahasuar me 53% në 1993.
Mbështetja prindërore është e zgjatur sepse brezave të rinj tani u duhet më shumë kohë për të arritur shumë piketa në jetën e të rriturve, një proces shumë më i shtrenjtë se sa ishte për gjeneratat e mëparshme, bien dakord ekonomistët dhe studiuesit. Ekziston gjithashtu një hendek më i madh i pasurisë midis amerikanëve të moshuar dhe atyre më të rinj, që do të thotë se disa prindër kanë më shumë mjete për të ndihmuar. Me pak fjalë, mosha e rritur nuk do të thotë më pavarësi financiare.
Për shumicën e të rinjve, mosha e rritur nuk do të thotë më pavarësi financiare. Fëmijët nuk po marrin domosdoshmërisht paga më të mëdha se prindërit e tyre, por ata po qëndrojnë në listën e pagave më gjatë se gjeneratat e mëparshme. Kjo ndihmë afatgjatë mund të jetë një pengesë për lëvizshmërinë sociale, duke e bërë edhe më të vështirë për të rinjtë nga familjet me të ardhura më të ulëta të arrijnë, theksojnë studiuesit. Pra, ku i kanalizojnë fëmijët “paratë e xhepit” nga prindërit? Shumica thanë se mbulojnë shpenzimet e përditshme të familjes, të tilla si faturat e telefonit dhe abonimet në shërbimet e transmetimit si Netflix.
Sasia dhe shpeshtësia e ndihmës ndryshon sipas moshës. Ata në grupmoshën më të madhe 18 deri në 34 vjeç kanë shumë më shumë gjasa të raportojnë se janë të pavarur financiarisht nga prindërit e tyre. Gati një e treta e të rinjve të moshës 30 deri në 34 vjeç thonë se ende marrin ndihmë prindërore.
Në përgjithësi, ndërsa gjeneratat e mëparshme fituan një ndjesi më të madhe pavarësie financiare në fillim të të 20-tave, të rinjtë sot shpesh nuk mund të arrijnë piketa të ngjashme, të tilla si të jetojnë vetëm ose të blejnë shtëpinë e tyre të parë, për shembull, pa burime financiare nga prindërit.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.