AMF nënshkruan memorandumin e IAIS/ Mete: Mbikëqyrje më efektive të grupeve ndërkufitare të sigurimeve
Drejtori i Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, Ervin Mete, nënshkroi zyrtarisht aderimin e AMF, që u bë autoriteti i 77-të mbikëqyrës nga 152 anëtarë të Shoqatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS). Kjo shoqatë ka realizuar përgjatë viteve të fundit një vlerësim të përputhshmërisë të bazës ligjore e rregullatore të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare me standardet ndërkombëtare.
Pas vlerësimit të realizuar nga një strukturë e posaçme e IAIS, me përbërje ekspertë dhe mbikëqyrës nga vende të ndryshme të Botës, me përmbushjen e kritereve dhe detyrimeve, AMF ka aderuar në grupin e vendeve nënshkruese të Memorandumit të Bashkëpunimit të IAIS.
Drejtori i AMF tha se aderimi në këtë memorandum do të jetë ndihmesë për shkëmbimin e informacionit, për një mbikëqyrje më efektive të grupeve ndërkufitare të sigurimeve. Sipas tij, AMF në bashkëpunim me IAIS do të përmbyllë vlerësimin e Parimeve Themelore Ndërkombëtare në Sigurime, për një avancim të mëtejshëm të praktikave mbikëqyrëse me standardet ndërkombëtare.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.