Ari tregohet pranë 2,040 dollarëve – Realizon fitime mujore prej 2.8% gjatë nëntorit
Ari po qëndron në rënie në sesionin e sotëm, për shkak të forcimit të dollarit amerikan, pas disa ditësh me radhë në rritje, ndërsa investitorët po presin të dhënat mbi inflacionin në SHBA. Megjithatë, metali i çmuar pritet të publikojë fitime për të dytin muaj me radhë, gjatë nëntorit.
Kontrata “spot” e arit po qëndron në rreth 2040 dollarë për onz, ndërsa gjatë këtij muaji është rritur me 2.8%, pas fitimeve me 7.3% në tetor. Ndërkohë, indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare, po qëndron në rritje duke e bërë arin më të shtrenjtë për zotëruesit e monedhave të tjera.
Referuar të dhënave të publikuara në Eurozonë, inflacioni në bllokun e monedhës së përbashkët u ngadalësua në 2.4% për nëntorin, nga 2.9% që ishte në tetor. Tashmë, fokusi i investitorëve do të përqendrohet te të dhënat mbi shpenzimet e konsumit personal në SHBA, që është një tregues i preferuar nga Rezerva Federale për të vlerësuar presionet inflacioniste.
Gjithashtu, të premten do të flasë edhe presidenti i Rezervës Federale, Jerome Powell, i cili mund të japë ndonjë detaj në lidhje me normat e interesit. Zyrtarët e FED paralajmëruan më herët gjatë javës, se mund të ulin interesat nëse inflacioni do të vijojë të ngadalësohet. Ndër metalet e tjera, argjendi po tregtohet në rreth 25 dollarë për onz dhe pritet të realizojë fitime për të dytin muaj me radhë. Platini po tregtohet në rreth 925 dollarë për onz.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.