Avantazhet nga çmimet e reja të referencës – Zbritja për amortizimin, Ekspertja: Do zhbllokojë shitjen e apartamenteve stok
Veç Tiranës, çmime të reja reference do të aplikohen edhe për zonat përgjatë bregdetit, duke i përqasur ato me vlerën reale që kanë sot në treg. Çfarë konsiderohet pozitive në gjykimin e ekspertëve është fakti që për godinat e vjetra do të aplikohet zbritje në varësi kjo të shkallës së amortizimit.
Ç’ka nënkupton se për një godinë 10 vjeçare, çmimi i referencës do të jetë 10 për qind më i ulët, për një godinë 15 vjeçare, 15 për qind më i ulët e kështu me radhë. Detajet u përcollën nga ekspertja e pasurive të palujtshme Armelida Shtiza. Nga studio e emisionit “Box to Box” Shtiza tha se përmes kësaj skeme do të zhbllokohet procesi për apartamentet e mbetura stok. Dhe të tilla nuk janë pak, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin.
Thënë kështu, sa më i vjetër apartamenti, aq më i reduktuar do të jetë çmimi i referencës, në rastin e shit-blerjes. Në mënyrë hipotetike, për një apartament me sipërfaqe 100m2, të ndërtuar në vitin 2000, në një zonë të Tiranës ku çmimi aktual është 100 mijë lekë, çmimi i referencës do të jetë 24 për qind më i ulët. Në këtë rast 76 mijë lekë/m2. Kjo do të reflektohet edhe në normën e taksimit që aplikohet.
Pasi për regjistrimin në Hipotekë, qytetarët duhet të paguajnë një tatim 15 për qind për diferencën ndërmjet çmimit të regjistruar të pasurisë në Kadastër me atë të shitjes. Ekpertja e pasurive të palujtshme sugjeron që ky taksim, i cili aktualisht është 15 për qind të reduktohet në 7.5 për qind për godinat e vjetra. Në këto kushte, thotë ajo është e udhës që të aplikohet një tatim i diferencuar bazuar në “moshën” e godinës.
Ada Hazizolli / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.