Barazia gjinore në punë rrit PBB me 20% – Banka Botërore: Hendeku aktual, më i gjerë se sa vlerësohej
Gjysmës së popullsisë së botës i mungojnë të drejtat e plota, me gratë që gëzojnë afërsisht 2/3 e të drejtave të burrave sipas ligjeve globale. Megjithatë, edhe këto të drejta të njohura shpesh nuk mund të ushtrohen plotësisht, pasi vendet kanë krijuar më pak se 40% të sistemeve të nevojshme për zbatimin e plotë të tyre. Kjo panormaë e zymtë, e cila dëshmon diskriminimin më të madh në historinë e njerëzimit, del nga raporti i fundit i Bankës Botërore me titull “Gratë, biznesi dhe ligji”.
Për herë të parë, studimi i këtij viti vlerëson hendekun midis reformave ligjore dhe rezultateve aktuale për gratë në 190 ekonomi, duke zbuluar një boshllëk shqetësues zbatimi. Në vitin 2023, qeveritë promovuan tre kategori reformash ligjore për të promovuar mundësi të barabarta: paga, të drejtat prindërore dhe mbrojtja e vendit të punës. Megjithatë, pothuajse të gjitha vendet performuan dobët në dy kategori: aksesi në kujdesin ndaj fëmijëve dhe siguria e grave. Kur përfshihen këto masa, gratë mesatarisht gëzojnë vetëm 64% të mbrojtjes ligjore që gëzojnë burrat, shumë më pak se vlerësimi i mëparshëm prej 77%.
Ligjet që supozohet të garantojnë të drejtat e grave shpesh janë të kufizuara në numër dhe, edhe kur miratohen, shpesh nuk zbatohen plotësisht. Banka Botërore ofron një shembull specifik për të ilustruar këtë fenomen: megjithëse 98 ekonomi kanë miratuar ligje për të siguruar pagesë të barabartë për gratë për punë me vlerë të barabartë me atë të burrave, vetëm 35 ekonomi – më pak se një në pesë – kanë miratuar masa të transparencës së pagave; ose mekanizma zbatues për të adresuar hendekun e pagave. Si rezultat, e drejta nuk përkthehet në praktikë.
Hendeku gjinor në vendin e punës është shumë më i gjerë se sa ishte vlerësuar më parë, tregon raporti. Për shembull, gratë mesatarisht fitojnë 77 cent për çdo dollar që fitojnë burrat. Në nivel global, 92 ekonomive u mungojnë ligje të pagave të barabarta për punë ekuivalente, në 20 ekonomi grave u ndalohet të punojnë natën dhe në 45 ekonomi atyre u ndalohet të punojnë në sektorë që konsiderohen të rrezikshëm për ‘to.
Në të gjithë botën, ligjet dhe praktikat diskriminuese i pengojnë gratë të punojnë ose të fillojnë biznes në baza të barabarta me burrat. Mbyllja e këtij hendeku mund të rrisë produktin e brendshëm bruto global me më shumë se 20%, duke dyfishuar pothuajse normën e rritjes globale gjatë dekadës së ardhshme. Por reformat vazhdojnë me zvarritje.
Sfidat me të cilat përballen gratë në punësimin me pagesë janë paralele me ato të sipërmarrjes. Sipas raportit, vetëm një në pesë ekonomi imponon kritere të ndjeshme gjinore në proceset e prokurimit publik, që do të thotë se gratë janë kryesisht të përjashtuara nga një mundësi ekonomike me vlerë 10 trilion dollarë në vit.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.