Shqipëria, në “ethet” e të punuarit si agjent imobiliar – Nga rroga me përqindje, e deri te ndërmjetësimi i klientëve.
Në rrjetet tona sociale na ndodh shpesh që shohim të rinj që reklamojnë apartamente e prona të paluajtshme duke e kthyer atë në një profesion trend të ditëve të sotme. Shpeshtësia e shfaqjes së njoftimeve të ndryshme në rrjetet tonë sociale, duket se po vjen në përputhje me ‘boom-in’ që po përjeton sektori I ndërtimit në Shqipëri.
Por sa joshëse është të punosh si agjent i pasurive të paluajtshme në këtë periudhë?
“Shqipëria është një treg paksa kaotik, edhe pse në rritje dhe figura e një agjenti imobiliar vjen gjithmonë e më shumë në pah, pikërisht për këto ndryshime. Ne sot kemi agjent të certifikuar, të cilët ushtrojnë profesionin e tyre në një mënyrë profesionale. Agjenti imobiliar ka njohuritë e duhura, për të kryer një process transaksioni në shitje-blerje. Ka njohuritë e duhura të tregut. Ka njohuritë e duhura për çmimet reale, për komplekset e reja që janë në zhvillim e sipër dhe të tjerë. Janë shumë të rëndësishëm gjatë procesit të negocimit”, tha Romina Sopiqoti, Agjente Imobiliare.
Por sa fiton një agjent imobiliar në Shqipëri? Dhe sa konkurrues është me sektorët e tjerë?
“Agjenti imobiliar nuk ka një pagë bazë. Ai punon në bazë të përqindjev të shitjeve, dhe të for5mulave që secila kompani ka. E lehtë nuk është. Ky është një profesion që jo kushdo do ta bënte. Në bazë të këtij profesioni, qëndron mbi të gjitha dëshira dhe pasioni për ta bërë këtë punë”, shtoi ajo.
Shumë agjenci imobiliare operojnë me tarifat e shërbimit për transaksione në shit/blerje ku klienti blerës paguan agjensinë imobiliare 1% të vlerës, ndërsa klienti shitës paguan 3% të vlerës. Ndërsa për qira, qiramarrësi paguan gjysmën e qirasë mujore ndërsa qiradhënësi 1 qira mujore.
Diamila Leka/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.