Vaji i ullirit ekstra i virgjër, shumë i shtrenjtë – Një në tre italianë nuk arrin ta blejë. Kanë ndryshuar zakonet e konsumit
Çmimi i vajit të ullirit ekstra i virgjër në Itali ka arritur në 9 euro për litër dhe një në tre konsumatorë nuk e blen më si dikur. Të dhënat janë publikuar nga një sondazh i Institutit Piepoli.
Kriza klimatike, që ka çuar në uljen e prodhimit global të vajit të ullirit, ka goditur rëndë veçanërisht në Spanjë. Në vitin 2023, rënia drastike e prodhimit spanjoll çoi në mungesën e produktit në treg dhe si pasojë në dyfishimin e kostos mesatare për litër në njësitë e tregtimit me pakicë në shkallë të gjerë.
Sipas sondazhit, rritja e çmimit nga 4 në 9 euro për litër ka ndryshuar zakonet e blerjes së rreth 30% të konsumatorëve në Itali. Në veçanti, 47% e të intervistuarve thonë se e kanë ulur konsumin me 30%, ndërsa 40% e kanë përgjysmuar atë. Në përgjithësi, 45% e të intervistuarve pretendojnë se kanë ndryshuar zakonet e tyre të gatimit duke kaluar në vajin më të lirë, atë të lulediellit, ose të sojës.
Kjo zhvendosje do të ketë pasoja dhe mund të çojë në një ulje të qëndrueshme të konsumit deri në 40%. Në Itali, vaji i ullirit ekstra i virgjër ka qenë gjithmonë një produkt i konsumuar gjerësisht nga qytetarët dhe ulja e konsumit nga njëra anë, e kombinuar me transformimin e zakoneve nga ana tjetër, do të ketë një ndikim afatgjatë në sektor. Konsumatorët janë gjithnjë e më të vëmendshëm ndaj ndryshimeve të çmimit.
Krahasuar me 3 ose 4 euro për litër që shitej në vitet e kaluara, konsumatorët janë të vetëdijshëm se akgtualisht nuk mund të gjejnë një çmim kaq të lirë. Por, kur u pyetën se sa duhet të jetë kostoja e drejtë e një litri vaj ulliri ekstra të virgjër të prodhuar në Itali, gjysma e të intervistuarve u përgjigjën me 7 euro.
Megjithatë, prodhuesit nuk pajtohen plotësisht me këto shifra. Për vitin 2023, shitjet e vajit të ullirit ekstra të virgjër në tregtinë me pakicë në shkallë të gjerë u ulën me 9.5% dhe mesatarja për muajt janar dhe shkurt 2024 tregon një rënie në vëllime me rreth 7.8%.
Prodhuesit duket se janë optimistë për të ardhmen, ku gjithshka do të varet shumë nga vjelja e radhës. “Pranvera duket se premton mirë për sa i përket reshjeve. Nëse çdo gjë shkon pa probleme dhe vjelja e ardhshme e ullirit është e kënaqshme jo vetëm në Itali, mund të presim një rënie të çmimeve në vitin 2025 në rreth 6 euro për litër”, shprehen prodhuesit.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.