Bateri me natrium në vend të litiumit – Është më e lirë, gjendet me bollëk dhe do të ndryshojë tregun
Përmbysja e radhës në sektorin e automjeteve elektrike do të jetë zëvendësimi i litiumit në bateri me natrium, një kthesë që potencialisht do të kufizojë dominimin e Kinës. Shumë prodhues makinash po vënë bast tani për natriumin, nga BYD kineze te Stellantis franko-italiane. Arsyeja është se natriumi nga njëra anë përshpejton procesin e grumbullimit të energjisë dhe nga ana tjetër është më i lirë se litiumi dhe gjendet kudo me bollëk.
Procesi është gjithmonë i njëjtë: jonet lëvizin përmes elektroliteve dhe rezultojnë në ruajtjen ose çlirimin e energjisë. Por përdorimi i natriumit përshpejton procesin në krahasim me kohën e nevojshme kur përdoret litium ose nikel. Përveç kësaj, bateritë e natriumit janë më rezistente ndaj temperaturave të ulëta.
Për sa i përket kostos, natriumi është më i lirë sepse gjendet kudo dhe ndahet lehtësisht nga kripa dhe soda. Është elementi i gjashtë më i bollshëm në tokë. Ka vetëm 100 milionë tonë metrikë të rezervave të vërtetuara të litiumit në botë, por dhjetëra miliarda tonë natriumi, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA. Në vitin 2022, kostoja e një baterie me jon natriumi nuk i kalonte 90 dollarë për kilovat-orë energji të ruajtur, ndërsa një bateri litium-jon ishte 30% deri në 40% më e shtrenjtë.
Megjithatë, bateritë e prodhuara me jone natriumi paketojnë gjysmën e energjisë për kilogram bateri litium. Kjo do të thotë se bateri më të mëdha do të nevojiten për të fuqizuar një model Tesla ose BYD kur ai do të udhëtojë në distanca të gjata.
Dhe nuk është gjithmonë e mundur të vendosni një bateri të madhe në një automjet pa prishur ekuilibrin delikat të masës, aerodinamikës dhe përmasave. Në mënyrë të pashmangshme, kjo do të thotë se nëse nuk ka ndonjë zhvillim të madh teknologjik, gama e automjeteve me bateri natriumi do të jetë shumë e kufizuar në krahasim me modelet elektrike tashmë në treg.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.