Kina planifikon mikroçipe të gjeneratës së ardhshme – Pekini po kapërcen kufizimet perëndimore mbi teknologjitë e reja
Në një garë për dominimin global të teknologjisë gjysmëpërçuese, një treg me vlerë gjysmë trilion dollarë, janë përfshirë kompanitë dhe vendet e përparuara teknologjikisht. Kina duket e gatshme të investojë në mikroçipet e gjeneratës së ardhshme, pavarësisht kufizimeve të SHBA-së.
Deri në vitin 2024, prodhuesit kryesorë të vendit pritet të lançojnë procesorë për telefonat inteligjentë të avancuar, të paprekur nga përpjekjet e Uashingtonit për të kufizuar në mënyrë drastike aksesin e tyre tek gjysmëpërçuesit vitalë dhe teknologjinë e tyre të prodhimit.
Të ndihmuar nga subvencionet bujare, gjigantët e Kinës po rrisin kapacitetin e prodhimit pavarësisht shqetësimeve për mbifurnizimin. Kapaciteti i prodhimit të çipave të vendit do të rritet me 60% në tre vitet e ardhshme dhe mund të dyfishohet brenda pesë viteve të ardhshme, vlerësojnë analistët e industrisë.
Meqenëse kufizimet perëndimore në eksportet e pajisjeve në Kinë nënkuptojnë se vendi nuk mund të prodhojë çipat më të avancuar të procesorëve, pjesa më e madhe e këtij prodhimi do të jenë çipa bazë të procesorëve, të cilët përdoren gjerësisht në makina, mallra shtëpiake dhe pajisje të konsumit.
Gjiganti kinez SMIC, prodhuesi më i madh i çipave të Dragoit të Kuq, ka montuar linja të reja prodhimi gjysmëpërçues në Shangai, me synimin për të prodhuar në masë çipat e firmës së Huawei.
Plani është pjesë e përpjekjes së Pekinit për t’u bërë i vetë-mjaftueshëm, pas vendimit të administratës Biden në tetor për të ‘ngrirë’ eksportet e pajisjeve të avancuara të prodhimit të çipave, duke përmendur shqetësimet e sigurisë kombëtare. Në këtë kontekst, SHBA po punon gjithashtu me Holandën dhe Japoninë për të bllokuar aksesin e Kinës në tregun e gjysmëpërçuesve.
Prej dekadash, prodhuesit e çipave janë përpjekur të bëjnë produkte gjithnjë e më kompakte, që do të thotë se sa më të vegjël të jenë transistorët në një çip, aq më i ulët është konsumi i tyre i energjisë dhe aq më e madhe është shpejtësia e tyre.
Pika e ardhshme konsiderohet të jenë çipat e metodës së prodhimit 2 nanometër që pritet të mbizotërojnë në vitet e ardhshme, duke fuqizuar gjeneratën e ardhshme të smartfonëve, qendrave të të dhënave dhe inteligjencës artificiale. Lëvizja për të krijuar çipa më të avancuar, megjithatë, nënkupton kosto shtesë.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.