BE, me masa më të ashpra ndaj kriptove – Objektivi, lufta kundër pastrimit të parave
Politikëbërësit në Bashkimin Europian arritën një marrëveshje të përkohshme për pjesët e një pakete rregullatore gjithëpërfshirëse për të luftuar pastrimin e parave që do t’i detyrojë të gjitha firmat e kriptove të tregojnë kujdesin e duhur ndaj klientëve të tyre.
Rregullorja Kundër Pastrimit të Parave – AMLR, është një përpjekje e gjerë për të luftuar evazionin e sanksioneve dhe pastrimin e parave. Ajo përfshin krijimin e një rregulloreje të vetme dhe krijon një autoritet mbikëqyrës që do të ketë gjithashtu kompetencë mbi sektorin e kriptove.
Parlamenti dhe Këshilli Europian – i cili mbledh ministrat e financave nga 27 shtetet anëtare të bllokut, kanë rënë dakord për masat, duke përfshirë dhe faktin që firmat e kriptove të aplikojnë masa të kujdesit të duhur ndaj klientit kur kryejnë transaksione që arrijnë në 1.000 euro ose më shumë.
Marrëveshja shton gjithashtu masa për të zbutur rreziqet në lidhje me transaksionet me portofolet e ‘vetë-strehuara’.
BE-ja finalizoi vitin e kaluar kontrolle specifike AML për transfertat e fondeve kripto krahas rregullores së saj të rëndësishme të Tregjeve të Aseteve Kripto – MiCA. Në dhjetor, Parlamenti Europian dhe Këshilli ranë dakord për krijimin e autoritetit mbikëqyrës. Marrëveshja e fundit ka të bëjë veçanërisht me direktivën e gjashtë të BE-së për pastrimin e parave.
Paketa mund të jetë bërë më e ashpër ndërsa kaloi përmes procesit kompleks legjislativ të BE-së në kuadër të sanksioneve të SHBA-së kundër mjetit anonimizues të kriptove ‘Tornado Cash’, si dhe frikës se kriptoma po përdorej për t’iu shmangur sanksioneve nga Rusia e madje edhe Hamasi.
Organi i industrisë, Nisma e BE-së për Kripto, u kërkoi ligjvënësve në maj 2023 të heqin kufizimet e planifikuara për mjetet e ruajtjes së privatësisë ose, në rast të dështimit, të përfshijnë një përcaktim të qartë midis llogarive anonime të ndaluara me rrezik të lartë dhe instrumenteve anonimizuese me rrezik të lartë.
Sipas zyrtarëve, kjo marrëveshje është pjesë përbërëse e sistemit të ri të BE-së kundër pastrimit të parave. Ajo do të përmirësojë mënyrën se si sistemet kombëtare kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit organizohen dhe punojnë së bashku. Kjo do të sigurojë që mashtruesit, krimi i organizuar dhe terroristët nuk do të kenë hapësirë për legjitimimin e të ardhurave të tyre përmes sistemit financiar.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.