BE po përgatit masa drastike për importet e grurit – Tarifa për produktet që vijnë nga Rusia dhe Bjellorusia
Bashkimi Europian po përgatit një plan masash drastike për importet e gurit nga Rusia dhe Bjellorusia. Vendosja e tarifave të reja do të ketë për qëllim zgjidhjen e shqetësimeve të fermerëve, të cilët prej kohësh protestojnë në disa vende anëtare të bllokut.
Pritet që në ditët në vijim Komisioni Evropian të vendosë një tarifë prej 95 eurosh për ton drithë nga Rusia dhe Bjellorusia, ndërsa tarifa prej 50 % do të vendoset për farat vajore dhe produktet e tyre. Konfirmimi u bë nga një raportim i Financial Times.
Një vendim i tillë merret në një kohë kur fermerët në të gjithë BE-në po protestojnë kundër Paktit të Gjelbër Europian, i cili synon të zbusë ndryshimet klimatike, me një kërkesë për të rifutur tarifat doganore për importin e produkteve bujqësore ukrainase, të cilat Brukseli i hoqi pas fillimit të pushtimit rus të Kievit.
Ashtu si pjesa më e madhe e Europës, edhe Polonia është përfshirë nga protestat javët e fundit, me fermerët që bllokuan rrugët kryesore të vendit dhe pikat kufitare me Ukrainën.
Pas bisedimeve me kryeministrin polak Donald Tusk, organizatat e fermerëve polakë njoftuan protesta të mëtejshme kundër politikës bujqësore të BE-së dhe importit të produkteve bujqësore nga Ukraina.
Plani i Gjelbër i BE-së synon të arrijë neutralitetin klimatik deri në vitin 2050. Strategjia përfshin masa në fusha të ndryshme si energjia, transporti, industria dhe bujqësia.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.