A mund ta nxisin emigrantët ekonominë amerikane? Raporti i “Goldman Sachs”
Analistët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të bindur se emigrantët mund të nxisin me sukses ekonominë e vendit. Kjo pavarësisht frikës së miliona punëtorëve amerikanë për rrezikimin e vendeve të punës.
Miliona punëtorë amerikanë janë të shqetësuar për efektet që mund të ketë në punët e tyre rritja e emigracionit në SHBA. Por për disa ekspertë, vendasit jo vetëm që nuk kanë asgjë për të qënë të frikësuar, por do të shohin lulëzimin e ekonomisë së tyre. Sipas Zyrës së Buxhetit të Kongresit, rritja e imigracionit do të kontribuojë në fuqinë punëtore të vendit, duke vlerësuar se do të rrisë PBB-në me rreth 2% deri në vitin 2034. Miliona punëtorë, megjithatë, nuk po shikojnë kryesisht këta tregues, por pasojat e drejtpërdrejta në punësimin dhe pagat e tyre.
Një raport i fundit nga Goldman Sachs, tregon se papunësia e vendasve dhe emigrantëve nuk janë të lidhura me njëra tjetrën.
Sipas ‘Goldman Sachs’, rritja e papunësisë mes të huajve në SHBA pasqyron një prirje afatgjatë që emigrantët e fundit të kenë papunësi relativisht të lartë, ndoshta sepse kërkon kohë që shumë prej tyre të vendosen në punësim të përhershëm. Papunësia është shumë më e ulët në mesin e emigrantëve që kanë qenë në SHBA për tre ose më shumë vjet.
Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka një axhendë veçanërisht ‘të ashpër’ kundër imigracionit. Në përgjithësi, pra, imigracioni duket se ka qenë një ndihmë e madhe për rritjen ekonomike të SHBA-së, duke përfshirë zgjerimin e kapacitetit prodhues të SHBA-së në një mënyrë që zbuti gjithashtu inflacionin e krijuar nga shpenzimet e administratës Biden. Me kusht që një presidencë e ardhshme e mundshme e Trumpit të mos fillojë deportimet, analistët vlerësojnë se imigrimi i vazhdueshëm do të ndihmojë në pagesën e Sigurimeve Shoqërore dhe ‘Medicare’.
Zyra e Buxhetit të Kongresit pret që 91% e emigrantëve të rritur midis 2022 dhe 2034 do të jenë nën moshën 55 vjeç, krahasuar me 62% për popullsinë e përgjithshme. Kjo do të thotë se një numër i konsiderueshëm punëtorësh shtesë do të paguajnë në sistem pa mbledhur përfitime pensionale për shumë vite.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.