Biden, masa modeste për ndryshimet klimatike – Demokratë dhe aktivistë kundër qëndrimit të presidentit amerikan

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, u shpreh se ndryshimet klimatike janë një emergjencë, duke konfirmuar një paketë modeste veprimesh dhe duke premtuar më shumë përpjekje në të ardhmen.
Biden i bëri këto deklarata gjatë një vizite në Massachusetts në një kohë që temperaturat e larta kanë shënuar rekorde të reja në Europë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas parashikimeve do të jenë 100 milionë amerikanët nga New York deri në Las Vegas të cilët do të përballen me një valë anormale të nxehti.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi se ndryshimet klimatike janë një kërcënim për kombin dhe botën. Në paketën e veprimeve përfshihet dhe një financim për qendrat e freskimit si dhe për projekte të reja në Gjirin e Meksikës për sa i përket sigurimit të energjisë së gjelbër.
Por deklaratat e Biden u gjykuan të varfëra nga ana e demokratëve dhe aktivistëve në mbrojtje të ambjentit të cilët kërkojnë që presidenti amerikan të deklarojë situatën e emergjencës klimatike.
Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave do të sigurojë 2.3 miliardë dollarë fonde për të ndihmuar shtetet të ndërtojnë qendra freskimi për të menaxhuar pasojat e temperaturave të larta dhe për të trajtuar ndikimet e tjera të ndryshimeve klimatike.
Financimi i ri mund të zgjerojë kontrollin për përmbytjet, të forcojë shërbimet komunale, të rinovojë ndërtesat dhe të ndihmojë familjet me të ardhura të ulëta të paguajnë kostot e ngrohjes dhe freskimit.
Biden njofton gjithashtu mbështetje të re për industrinë vendase të erës në det të hapur. Administrata Biden ka identifikuar 700 mijë hektarë për zhvillimin e mundshëm të energjisë së erës në det të hapur në Gjirin e Meksikës, konfirmoi Shtëpia e Bardhë.
Biden foli nga një ish-uzinë me qymyr që po luan një rol në mbështetjen e industrisë së erës në det të hapur të shtetit si një qendër prodhuese për kabllot nënujore.
Biden premtoi veprime të ashpra ndaj ndryshimeve klimatike në fushatën e tij presidenciale dhe kjo mbetet një prioritet kyç për disa votues përpara zgjedhjeve afatmesme të 8 nëntorit për kontrollin e Kongresit. Presidenti amerikan u zotua gjithashtu në negociatat ndërkombëtare për klimën për të ulur ndotjen e klimës me 50% deri në vitin 2030 dhe për të arritur 100% të energjisë elektrike të pastër deri në vitin 2035.
Por kjo axhendë klimatike është prishur nga disa pengesa të mëdha, duke përfshirë dështimin e Kongresit për të miratuar masat vendimtare për klimën dhe energjinë e pastër në një projekt-ligj të buxhetit federal, çmimet rekord të benzinës dhe pushtimi rus i Ukrainës që prishi ekuilibrat në tregjet globale të energjisë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.