Bitcoin bie pranë 27 mijë dollarëve – Përshkallëzimi i konfliktit dëmton kërkesën për asete me risk
Bitcoin ka humbur rreth 1% të vlerës në sesionin e sotëm dhe ka zbritur pranë 27 mijë dollarëve, pasi përshkallëzimi i konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit ka dëmtuar kërkesën e investitorëve për asete me risk.
Sipas analistëve, kjo ishte një tendencë e pritshme për tregun e kriptomonedhave, pasi investitorët largohen nga asetet tradicionale dhe nga asetet me risk dhe preferojnë arin dhe naftën, që janë rritur ndjeshëm në sesionet e kaluara.
Tregu i kriptomonedhave ka rënë me rreth 1.6% në 24 orët e fundit, referuar Indeksit të Tregut të CoinDesk, një matës me bazë të gjerë që gjurmon me qindra kriptomonedha. Edhe ethereum është në rënie me rreth 2%, ndërsa përgjatë kësaj jave ka humbur rreth 5% të vlerës.
Analistët e tregut shprehen se përpjekja e bitcoin për të thyer kufirin e 28 mijë dollarëve javën e kaluar, shkaktoi një valë shitjesh, që e çoi çmimin sërish pranë 27 mijë dollarëve. Tregtarët e kriptomonedhave që parashikojnë një paqëndrueshmëri dhe kërkojnë alternativat më të mira, mund të marrin në konsideratë degën e bitcoin, që është bitcoin cash.
Sipas ofruesit të të dhënave të kriptomonedhave me bazë në Paris, Kaiko, bitcoin cash ka regjistruar përmirësimin më të madh në likuiditetin e tregut gjatë tremujorit të tretë të vitit. Likuiditeti i referohet aftësisë së tregut për të absorbuar urdhra për blerje dhe shitje me çmime të qëndrueshme.
Sa më i madh të jetë likuiditeti ose thellësia e tregut, aq më e ulët është rënia e menjëhershme, aq më e vogël është edhe diferenca midis çmimit që një tregtar pret të paguajë dhe çmimit që ai paguan në të vërtetë.
Lidion Kulla /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.