Blemë 40 milionë euro grurë gjatë krizës – Shifrat zyrtare/ Deri në Gusht u importuan 102 mijë ton!

Konflikti Rusi-Ukrainë shkaktoi trazira në tregjet ndërkombëtare dhe në vend si dhe solli si pasojë rritje të çmimeve në tërësi. Një nga problematikat që u shfaq në vendin tonë ishte paqendrueshmëria në furnizimin me grurë, pasi shumë tregje mbyllën eksportin dhe fabrikat u detyruan të gjejnë hapsira të tjera për të garantuar këtë produkt për konsumatorët shqiptarë edhe pse me kosto më të rritur.
Por si ka qenë trendi i importeve përgjatë kësaj periudhe? Referuar të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, të siguara nga SCAN TV për këtë vit, duket se fabrikat prodhimit të miellit kanë importuar në total deri në muajin gusht, 102.5 mijë ton grurë, në një vlerë prej 4.7 miliardë lekësh apo rreth 40 milionë euro.
Nga të dhënat duket se sasia më e lartë që është importuar i përket muajit Mars, menjëherë pas fillimit të konfliktit në Ukrainë, ku fabrikat tentuan të sigurojnë sa më shumë rezerva për muajt në vijim. Përgjatë këtij muaji janë siguruar 22 mijë ton grurë me një vlerë prej rreth 1 miliardë lekë. Ndërsa përgjatë muajve të tjerë ka pasur blerje në sasi më të qendrushme. Ndwrsa, gjatë vitit 2021 u importuan nw total afro 212 mijë ton grur, me vlerë rreth 7 miliardë lekë.
Nga viti 2017 dhe në vazhdim, çmimi i grurit të sjellë në Shqipëri ka pësuar rritje progresive. Varësia e Shqipërisë nga importi është në masën 35% të konsumit dhe Rusia qëndron në vend të parë, e ndjekur nga Serbia, Franca dhe Ukraina.
Ndërsa prodhimi vendas ka ardhur në rënie për shkak të kostove në rritje për fermerët dhe mungsës së politikave mbështesëse deri më tani, çka i bën konsumatorët të varur nga ndryshimi i çmimeve dhe politkave në tregjet ndërkombëtare.
Elisabeta Dosku / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.