Bonot e thesarit, rritje të papërfillshme në 3.44% – Emetime shumë të larta nga Qeveria, por prani e ulët investitorësh edhe këtë javë
Interesat e bonove të thesarit kanë shënuar këtë javë një rritje minimale, pavarësisht se emetimet nga Qeveria janë shumë të larta. Në ankandin e kësaj jave, yieldi mesatar i bonove me afat maturimi 12-mujor ishte 3.44%, me rritje të papërfillshme nga 3.40% në ankandin e parë të janarit, por gjithësesi fare pranë kufirit prej 3.25% të normës bazë të interesit nga ana e Bankës së Shqipërisë. Yieldet mbetën edhe këtë javë të ankoruara fare pranë normës bazë të interesit, tendencë e shfaqur përgjatë gjithë gjysmës së dytë të vitit të shkuar, e mbetur e pandryshuar edhe pas muajit nëntor, kur Banka e Shqipërisë vendosi të rriste normën bazë të interesit në vlerën rekord prej 3.25%.
Ndërkaq, i vetmi ndryshim i ankandit të kësaj jave, ishte shtimi i lehtë i pranisë së të interesuarve për të ivestuar në instrumentin me maturim 12-mujor. Kësaj jave kërkesa për blerje e investitorëve ishte diçka më e lartë se shuma e shpallur nga qeveria. Ministria e Financave emetoi këtë javë shumën prej 14 miliardë lekësh, ndërkohë që shuma e vënë në dispozicion nga investiorët ishte afërisht 14.7 miliardë lekë.
Ankandi i parë i janarit nisi me reduktim të theksuar pranisë së individëve dhe institucioneve të interesuar për të investuar në bono një vjeccare, edhe më i kërkuari si nga bankat, ashtu edhe individët. Nga 14 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur nga Ministria e Financave, në ankand u paraqitën gjithsej kërkesa nga investitorët në vlerën e 10.5 miliardë lekëve.
Ajo që duket qartë në këtë fillim viti është mungesa e presioneve rritëse mbi bonët e thesarit, të cilat në këto nivele, zor se do të jenë joshëse dhe të ritkhejnë tendencën e fillimit të vitit të shkuar, kur një numër i konsiderueshëm individësh tërhoqën depozitat për të investuar në bono thesari. Në fillimin e vitit të shkuar, kërkesat për të investuar nga bankat e individët ishin mjaft më të larta se shumat e shpallura nga Ministria e Financave. Në këto kushte, duket se Qeveria do t’i gëzohet huamarrjes me norma relativisht të ulëta, në një ccast që ka paralajmëruar nivele shumë të larta borxhi veçanërisht për tremujorin e parë të këtij viti.
Lorenc Rabeta / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.