Bumi i ndërtimeve vijon, priten porosi të reja e rritje çmimesh – Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë: Treguesi i ndjesisë ekonomike u përmirësua me 2 pikë në nëntor
Përtej krizës së çmimeve, volumit të lartë të apartamenteve të përfunduar apo drejt përfundimit, kostove shumë të larta të materialeve dhe të fuqisë punëtore, fundi i bumit të ndërtimeve në Shqipëri duket se është ende larg. Në Vrojtimin e Besimit të Biznesit, të sapopublikuar nga Banka e Shqipërisë, kompanitë e ndërtimit rezultojnë me optimizmin më të lartë në treg, ndërkohë që e kundërta ndodhi me ato të industrisë. Treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit me 2 pikë në muajin nëntor, dhe shkaktari kryesor i kësaj rritjeje është pikërisht sektori i ndërtimit.
Niveli i Treguesit aktualisht qëndron 2.3 pikë mbi mesataren afatgjatë. Përmirësimi i këtij treguesi u ndikua kryesisht nga rritja e besimit në sektorët e ndërtimit dhe të shërbimeve. Gjithashtu, përmirësimi i besimit konsumator dhe atij në sektorin e tregtisë ndikuan pozitivisht rritjen e treguesit, megjithëse në një masë më të vogël. Nga ana tjetër, besimi në sektorin e industrisë regjistroi rënie në muajin nëntor.
Më specifikisht, Treguesi i besimit në ndërtim regjistroi rritje me 5.8 pikë përqindje në muajin nëntor. Ky zhvillim u përcaktua nga vlerësime më optimiste për porositë aktuale në ndërtim, si dhe për punësimin në të ardhmen. Vlerësimi për aktivitetin aktual në sektorin e ndërtimit regjistroi gjithashtu rritje, por në një masë më të vogël se komponentët e tjerë të këtij treguesi. Rritje të lehtë kanë pësuar dhe pritjet për çmimet në të ardhmen.
Ndërkaq, treguesi i besimit të industrisë ra me 3.8 pikë përqindjeje krahasuar me muajin e kaluar, i ndikuar si nga vlerësimet më pesimiste për prodhimin aktual ashtu edhe nga vlerësimet në rënie për kontratat porositëse. Ndërkohë, pritjet e bizneseve për prodhimin në të ardhmen regjistruan një rritje të lehtë. Pritjet për çmimet janë në rënie këtë muaj.
Treguesi i besimit konsumator rezultoi me rritje të lehtë në muajin nëntor, duke reflektuar përmirësime të vogla në të katër komponentët përbërës: pritjet për situatën ekonomike e financiare si dhe vlerësimi për blerjet në shuma të mëdha, si në periudhën aktuale ashtu edhe në të ardhmen.
Lorenc Rabeta/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.