Rregullat e reja për sezonin turistik – Ekspertja Xhemani: Me rëndësi, formalizimi i strukturave akomoduese
Parandalimi i ndotjes së hapësirave të plazhit, certifikimi i strukturave akomoduese dhe nxitja e arsimit profesional për përmirësimin e shërbimit janë disa nga rregullat e reja të miratuara nga Ministria e Turizimit, në prag të këij sezoni turistik.
Ekspertja Flora Xhemani i cilëson me rëndësi këto masa të ndërmarra, por thotë që në rastin e certifikimit të strukturave akomoduese nuk duhet të kishte diferencime.
Ndryshimet e bëra në Ligjin për Turizimin përcaktojnë, që në rastin e hoteleve me 4 apo 5 yje nuk është e nevojshme që ato të jenë të certifikuara nga institucioni përgjegjës, por mjafton të plotësojnë kriteret dhe kushtet për t’u certfikuar në një moment të dytë.
Ndërkohë, të gjithë sipërmarrësit e tjerë turistikë, të cilët operojnë si strukturë akomoduese nëse nuk regjistrohen dhe certifikohen do të përballen me penalitete apo masa administrative që shkojnë deri në 400 mijë lekë, në varësi të hapësirës apo numrit të dhomave.
Ashpërsim të masave janë parashikuar edhe për stacionet e plazhet, jo vetëm kur ndotet ambjenti, por edhe kur tejkalohet sipërfaqja e përcaktuar në kontratë. Në rastin e parë, gjoba do të jetë 200 mijë lekë, ndërsa në rastin kur zaptohet më tepër nga sipërfaqja e lejuar gjoba shkon 150 mijë lekë.
Ada Hazizolli/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.