Bursa e energjisë nis operimet – Caktohet data 11 prill, antarë vetëm kompanitë publike, OSHEE, KESH e OST
Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike parashikohet të nisë operimet tregtare në datën 11 prill. Vendimi pritet të merret të premten nga Enti Rregullator i Energjisë, por burime konfirmuan për TV SCAN se data e propozuar është pikërisht e marta e javës që vjen.
Tregtimi do të nisë për tregun e ditës në avancë vetëm për Shqipërinë, ndërsa sikurse është bërë e ditur edhe më herët do të bëhet bashkimi i tregjeve Shqipëri – Kosovë. Operimi i bursës do të nisë me kompanitë publike të energjisë, që do të kryejnë transaksione me njëra – tjetrën, duke qenë se aktualisht janë të vetmet që janë anëtarësuar në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike.
Pak ditë më parë, ALPEX njoftoi se Furnizuesi i Shërbimit Universal dhe Furnizuesi i Tregut të Lirë, që janë 2 kompani të OSHEE Group, si dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit ishin anëtarët e parë, duke nënshkruar Marrëveshjen e Antëarësimit për Tregun e Ditës në Avancë.
Ndërsa, pak ditë më pas pjesë u bënë edhe 2 kompanitë e tjera publike, që janë Korporata Elektorenergjetike Shqiptare dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes. Ndërkaq, nga sektori privat, ende nuk ka kompani të antarësuara.
Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike do të duhej të kishte nisur funksionimin prej kohësh, ndërsa pritet të sjellë një rritje të konkurrencës si dhe lehtësim të blerjes së energjisë.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.