Bursat europiane, në pritje të bankave qendrore – Powell mund të sinjalizojë se kur do të vijë ulja e parë e interesave
Bursat europiane po qëndrojnë në rritje të lehtë në sesionin e sotëm, pasi investitorët po presin vendimet që do të marrë Rezerva Federale në mbrëmjen e sotme. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 po qëndron në rritje me 0.2%, ndërsa sektori kimik kryeson fitimet, në rritje me 0.7%.
Rezerva Federale pritet ta mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në intervalin nga 5.25% deri në 5.5%, por investitorët do të analizojnë komentet e presidentit Jerome Powell, mbi kohën se kur mund të vijë ulja e parë e interesave.
Më shumë se gjysma e 35 ekonomistëve dhe analistëve të anketuar nga CNBC, presin që qershori të jetë muaji i parë i uljes së interesave nga Rezerva Federale, ndërsa 69% e tyre presin një tjetër ulje në korrik. Për sa i përket tregjeve aziatike, aksionet në Kinë realizuan humbjet më të mëdha për shkak të dyshimeve në lidhje me angazhimin e Pekinit zyrtar për të rritur kërkesën e brendshme.
Ndërsa në Wall Street, tre indekset kryesore publikuan fitime për të katërtin sesion me radhë, për shkak se inflacioni rezultoi në 3.1% për nëntorin, në linjë me parashikimet e analistëve. Referuar zhvillimeve të tjera, ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar u kontraktua me 0.3%, gjatë tetorit, për shkak të ngadalësimit të sektorit të shërbimeve, prodhimit dhe ndërtimit.
Ndërkohë, banka Morgan Stanley ka këshilluar klientët e saj që të blejnë aksione të kompanive me cilësi të lartë, në Azi dhe në tregjet në zhvillim. “Ne besojmë se tregu tani është në tranzicion drejt një cikli të ri që do të favorizonte ‘Rritjen’ kundrejt ‘Vlerës’,” thanë strategët e bankës në një shënim për klientët e tyre.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.