Bursat europiane, në rënie të lehtë – Fokusi i tregjeve, te fitimet e korporatave dhe te takimi i BQE
Tregjet europiane janë hapur në rënie të lehtë në sesionin e sotëm, për shkak të fitimeve tremujore të korporatave, që kanë zhgënjyer investitorët.
Gjithashtu, tregjet po presin edhe takimin e Bankës Qendrore Europiane, të enjten, ku me shumë mundësi norma bazë e interesit do të rritet me 75 pikë bazë. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 e ka nisur ditën në rënie me 0.3%, me sektorin e teknologjisë që realizon humbjet më të mëdha. Në sesionin e kaluar, tregjet europiane realizuan fitime për të tretin sesion me radhë, pasi të dhënat në SHBA sugjerojnë se Rezerva Federale mund të mos jetë shumë agresive me rritjen e interesave.
Përsa i përket fitimeve të korporatave, Alphabet, që është kompania mëmë e Google, zhgënjeu investitorët duke publikuar fitime poshtë pritshmërive të tregjeve. Për këtë arsye, aksionet e kompanisë ranë me rreth 6.5% në sesionin e kaluar, duke tërhequr me vete edhe kompanitë e tjera të këtij sektori. Gjatë ditës së sotme, do të publikojnë pasqyrat e tyre financiare kompani si, Meta, Coca Cola dhe McDonalds.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.