Bursat europiane zgjerojnë fitimet – Optimizëm për bisedimet SHBA-Kinë mbi tregtinë
Bursat europiane po qëndrojnë në rritje në sesionin e sotëm, duke zgjeruar fitimet e një dite më parë, për shkak se të dhënat e publikuara në SHBA dhe në Kinë. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 po qëndron në rritje me 0.5%, ndërsa sektori i teknologjisë kryeson fitimet, në rritje me 2%.
Ngadalësimi i inflacionit në SHBA, më shumë se parashikimet e tregjeve ka rikthyer shpresat se Rezerva Federale nuk do të rrisë normat e interesit dhe mund ti japë fund ciklit të shtrëngimit të politikave monetare.
Edhe shumica e tregjeve në rajonin e Azi-Paqësorit u mbyllën në territor pozitiv, për shkak se të dhënat mbi shitjet me pakicë dhe prodhimin industrial në Kinë rezultuan mbi parashikimet e tregjeve. Ndër zhvillimet e tjera, presidenti amerikan, Joe Biden dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping do të takohen më vonë gjatë ditës së sotme në San Francisco.
Ky është takimi i parë në thuajse një vit për dy liderët dhe vizita e parë në 6 vitet e fundit në SHBA, për presidentin kinez. Ndërkohë, humori i investitorëve është përmirësuar edhe nga të dhënat e publikuara në Mbretërinë e Bashkuar, që treguan se Indeksi i Çmimeve Konsumatore ra më shumë se parashikimet e analistëve, gjatë tetorit.
Ky indeks u ngadalësua në 4.6%, muajin e kaluar, nga 6.7% që ishte në shtator. Për sa i përket korporatave, aksionet e Siemens Energy janë rritur me rreth 7% në sesionin e sotëm, pasi kompania siguroi 7.5 miliardë euro në garanci shtetërore nga qeveria gjermane. Ministria gjermane e Ekonomisë njoftoi se e kishte miratuar këtë garanci, si pjesë e një pakete më të gjerë prej 15 miliardë eurosh, në linja garancie të rënë dakord me bankat dhe me aksionerët.
Në anën tjetër, aksionet e kompanisë francezë të prodhimit të trenave, Alstom janë në rënie me rreth 10%, pasi kompania njoftoi se do të shkurtojë rreth 1,500 vende pune dhe do të shiste disa asete, në përpjekje për të rregulluar bilancin.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.