Bursat europiane zgjerojnë fitimet – Rriten mundësitë që FED të mos ndryshojë politikën monetare
Bursat europiane po qëndrojnë në rritje edhe në sesionin e sotëm, duke vijuar me vrullin pozitiv të kësaj jave. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 po qëndron në rritje me 0.6%, ndërsa shumica e sektorëve janë në territor pozitiv. Sektori minerat dhe ai i naftës e gazit kryesojnë fitimet, në rritje me 1.4% dhe 1.2% respektivisht.
Sesionin e kaluar, Stoxx 600 u rrit në nivelin më të lartë në 3 javët e fundit, duke u rimëkëmbur ndjeshëm nga niveli më i ulët në 11 muaj, që ishte të martën e kaluar. Fokusi i investitorëve do të jetë te të dhënat në SHBA, të cilat do të japin një panoramë më të qartë mbi vendimet që do të marrë Rezerva Federale.
Në procesverbalin e takimit të fundit të Rezervës Federale thuhej se mund të nevojitet edhe një tjetër rritje e normës bazë të interesit. Megjithatë, tregjet vlerësojnë 91% mundësi që banka qendrore amerikane të mos ndryshojë normën e interesit në takimin e nëntorit dhe një mundësi prej 72% që mos ta rrisë në takimin e dhjetorit.
Në anën tjetër, edhe zyrtarët e Bankës Qendrore Europiane kanë përforcuar mesazhet se normat e interesit në Eurozonë mund të kenë arritur kulmin. Ndër zhvillimet e tjera, të dhënat e publikuara në Mbretërinë e Bashkuar treguan se ekonomia u rrit me 0.2% gjatë gushtit, në linjë me parashikimet e analistëve.
Lidion Kulla / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.