Cilat janë zërat që mbushën arkën e shtetit? – Skema e sigurimeve, me rritje rekord. Mbledh 200 milion euro më shumë
Vitit 2023 është mbyllur me perfomancë tejet pozitive sa i takon të ardhurave buxhetore. Por cilat janë zërat që kanë ndikuar më së shumti në këtë perfomancë? Referuar treguesve zyrtarë të publikuar nga Ministra e Financave, të hyrat tatimore janë ato më ndikimin më të lartë, ku rezulton se skema e sigurimeve shoqërore po përmirësohet ndjeshëm për shkak të rritje rekord të të ardhurave nga kontributet shëndetësore dhe shoqërore.
Konkretisht në vitin 2023, janë arkëtuar 139.3 miliardë lekë, apo 20.8 miliardë lekë ose 200 milionë euro më shumë se 12 mujori 2022 . E shprehur në përqindje kapërcimi rezulton më 17.5 %. Ndikim kryesor në këtë zë ka pasur rritja e pagës minimale dhe maksimale në vend si dhe reforma e rritjes së pagave në sektorin publik.
Një zë tjetër me peshë janë të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin, të cilat u realizuan në masën 64.6 miliardë lekë, 16.9 miliardë lekë në raport me vitin e kaluar. Ndikim në këtë zë ka fitimi i gjeneruar nga bizneset por edhe nga transaksionet e pasurive të paluajtshme, duke qenë se aktualisht ky treg është në ditët e tij më të mira.
Tatimi mbi të ardhurat personale gjithashtu është arkëtuar në vlerën 57.9 miliardë lekë, 12.9 miliardë lekë më shumë se 12 mujori 2022. Rritja e pagave dhe tatimi i aplikuar mbi to ka dhënë një efekt të rëndësishëm në këtë zë.
Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizuan në masën 45.9 miliardë lekë, 11.4 miliardë ose 33.1% më shumë se 12 mujori 2022. Bumi turistik i viti të kaluar ka sjellë konsum të shtuar gjë që është pasuar dhe me rritjen e të ardhurave nga Tatimi mbi vlerën e Shtuar.
Ndërsa taksat nacionale kanë kontribuar me një vlerë më të vogël. Sa i takon të ardhurave doganore, kanë rezultuar me rritje të ardhurat nga akciza, renta minerare dhe taksat doganore.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.