Çmim rekord i grurit pas vendimit të Rusisë – Moska pezullon marrëveshjen që lejonte eksportin e grurit ukrainas
Shënon rekord cmimi i grurit në tregjet ndërkombëtare pas pezullimit nga ana e Rusisë së marrëveshjes me Ukrainën për kalimin e grurit të Kievit nëpërmjet Detit të Zi si pasojë e sulmeve që pësoi flota ruse. Frika për një bllokim të zgjatur në kohë të eksportit të grurit dhe misrit ukrainas ka bërë që cmimet të prekin nivele rekord. Kontratat e së ardhmes së grurit në bursën e Çikagos u rritën të hënën në mëngjes me më shumë se 5%, ndërsa misri me mbi 2% për shkak të frikës së tkurrjes së furnizimeve.
Por nga ana e saj qeveria ukrainase bëri të ditur se 12 anije me grurë janë nisur nga Ukraina mëngjesin e të hënës pavarësisht tërheqjes së Moskës nga marrëveshja e ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara. Sipas ministrisë ukrainase të infrastrukturës delegacionet e OKB-së dhe Turqisë vendosën në dispozicion 10 skuadra inspektimi. Një vendim i tillë u pranua nga delegacioni ukrainas ndërsa ai rus është vënë në dijeni.
Marrëveshja e firmosur në 22 korrik në Stamboll i lejoi Ukrainës të transportonte më shumë se 9 milion ton drithëra, ndërsa Rusia u autorizua të eksportonte ushqime, duke kontribuar në uljen e cmimeve të ushqimeve me 15% në krahasim me nivelet rekord të muajit mars, pasi lufta në Ukrainë e kishte bërë të rrezikshme itenerarin tregtar.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.