Çmimet e larta “trembën” turistët e huaj në 2023? – Pavarësisht numrit të lartë, qëndruan mesatarisht 2.8 netë në strukturat akomoduese
Shifrat më të fundit mbi strukturat akomoduese për muajin dhejtor na japin tani më një panoramë më të qartë sa i përket të gjithë vitit 2023. Edhe një herë tjetër shifrat flasin për rekorde të turizmit përgjatë vitit që pas. Numri i vizitorëve gjithsej gjatë gjithë vitit u regjistrua në 2.3 milionë, nga 1.5 milionë që ishtë përgjatë vitit 2022. Sipas të dhënave të analizuara nga “Scan Intel”, rritja vjetore e numrit të vizitorëve në vitin 2023 regjistrohet në 48.8%. Numri i vizitorëve të cilët u akomoduan në struktura ka kulmuar përgjatë verës duke konfirmuar kështu suksesin e sezonit.
Nga ana tjetër, edhe numri i netë qëndrimeve në strukturat akomoduese paraqitet pozitiv. Përgjatë gjithë vitit 2023 në vendin tonë u regjistruan rreth 6 milionë netë qëndrime, nga rreth 3.8 milionë në vitin 2022. Rritja vjetore e këti treguesi shënohet në 56.8%.
“Scan Intel” ndër të tjera ka analizuar edhe numrin e vizitorëve të huaj dhe netë qëndrimeve të tyre. Sipas shifrave të “Institutit të Statistikave” në strukturat akomoduese u regjistruan rreth 1.4 milionë vizitorë të huaj, duke shënuar një rritje me 59%, krahasuar me vitin 2022.
Po ashtu edhe netë qëndrimet nga vizitorët e huaj u rritën me 56.8% përgjatë vitit 2023, krahasuar me një vit më parë. Numri i tyre u regjistrua në afërsisht 3.9 milionë, ndërkohë që në vitin 2022 numëroheshin 2.54 milionë netë qëndrime nga të huajt.
Nga një përllogaritje e thjeshtë, del se në vitin 2023 një huaj ka qëndruar në një nga strukturat akomoduese rreth 2.8 netë. Pra, pavarësisht nga numri i lartë duket se turistët e huaj kanë ardhur, por kanë qëndruar pak. Sa i përket muajit dhjetor të vitit që lamë pas, numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 47.9%, në krahasim me dhjetorin e vitit 2022, ndërkohë numri i netë qëndrimeve u rrit me 67.5%.
Xhorxhina Deda/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.